Eksperti i ekonomisë Dritan Shano, për vitin 2022 thotë se ishte pluskues për ekonominë shqiptare, pasi arriti të pluskojë, por nuk u fundos.
Ai deklaroi në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, se nuk e përkufizon dot si sukses, pasi përmasa e ekonomisë është aq e vogël, sa me pak vendosmëri nga qeveria mund të bësh shumë gjëra të mira, siç mund të bësh dhe të këqija.
Sipas tij, inflacioni është rritur tej mase shumë, jo për shkak të qeverisë aq shumë, por për shkak të qeverive, si një taksë që vendoset në xhepat e shqiptarëve për shkak të ekspozimit që kemi ndaj botës.
Shano shtoi se përfolja për gaz dhe naftë në Shqipëri nuk është e këtyre 32 viteve, por se është e shumë viteve më parë dhe se hesapet ekonomike nuk i bën dot me ngjarjet e pritshme në prill në Shpirag.
E madhe për Shqipërinë është diversifikimi i burimeve të energjisë, kalimi në fotovoltaik dhe eolik, për të kompromentuar hidron që ne kemi.
I largohemi dorës së Zotit, lutjes për shi dhe për borë dhe burimet e energjisë i bëjmë më në dorë të njeriut. Ne kemi dhuratë nga perëndia burimet hidrike, ne derdhim rreth 1800 m3 ujë në sekondë në Adriatik.
Jemi një vend që do të duhet ta shiste energjinë dhe do ishim shumë të pasur si vend nëse do e shisnim energjinë. Diversifikimi i burimeve të prodhimit e vendos Shqipërinë në pozicion të favorshëm strategjik.
Dixhitalizimi i ekonomisë, mënyrës së të menduarit dhe mënyrës se si arsimohen shqiptarët, produkti i arsimit shqiptar duhet të zhvendoset fort drejt aftësive dixhitale.
Kjo do krijojë një pasuri shumë të madhe të kapitalit njerëzor në 10-15 vitet që do vijnë. Do i shtoja vetëm Korridorin 8-të, që është evidente pozicioni ynë gjeografik merr vlerë aty ku i takon të jetë nëse ne dalim nga Durrësi në Detin e Zi.
Një ekonomi moderne nuk mund ta ketë bujqësinë mbi 6-7%. Ne e kemi 20%, jemi sikur jemi në kohën kur francezët i prenë kokën mbretit.
Popullsia jonë jeton 48% në fshat, gjallon në fshat, në shekullin XXI. Kjo shifër është feudale. Bujqësia jonë duhet të kalojë në agro-industri. Që ta shfrytëzosh në mënyrë agro-industriale tokën.
Ne duhet të zgjidhim disa probleme me pronësinë e tokës dhe demografinë se 48% e popullsisë që jeton në fshat është patate e nxehtë në duart çdo qeverie.
Bujqësia për mua në shekullin e XXI për ata që pretendojnë se është e ardhmja, nuk është. Duhet të organizohen.
Para viteve ‘90-të na mësonin në shkollë, që një ngastër të ketë rendiment, duhet të jetë në rendin 30-40 hektarë se vetëm këtu t’i mund të fusësh makineritë e tua, pjesën tjetër ku kalonin mjetet, duhet ta punoje me krahë, ose ta lije.
Njohuria nuk ka munguar! Fakulteti i Bujqësisë ka qenë një nga fakultetet më avantgardë në botë.
Po të isha Kryeministër i vendit do i dedikoja 6 muaj të qeverisjes vetëm kësaj çështje, dhe do e binjakëzoja Fakultetin e Bujqësisë në Bujqësisë, me atë në Holandë, që është numri 1 në botë.
Fragmentarizimi i tokës është problemi më i madh. Duhen skema nxitëse.
Termi kooperativë ka marrë konotacion të keq, se krijon idenë se përmblidhet në një tokë, por jo, është një kooperativë ku ti ke aksione dhe kjo të çon në vendimmarrje të përbashkëta që ulin koston.
Kostoja që ka një europian për të sjellë domate në tregun tonë, është më e ulët se sa i duhet një shqiptari për ta prodhuar.



