Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Bashkive, Agron Haxhimali thotë se Shqipëria furnizohet mesatarisht 16-17 orë ujë në ditë dhe se pjesën tjetër e sigurojmë nga depozitat.
Nga studio e “MCN Economy”, ai deklaroi se lë për të dëshiruar uji i çezmës për sa kohë nuk pihet lirisht çka e detyron qytetarin të blejë ujin.
Haxhimali hodhi dyshime se krijimi i një operatori të vetëm kombëtar do të ishte zgjidhja ideale.
Kryeministri u tregua më i qetë dhe më i ftohtë kur tha të bindim qytetarët se cisternat nuk janë të mira.
Qytetarët e dinë se nuk është mirë, por ata janë të detyruar t’i mbajnë këto cisterna.
I gjithë ky sektor do të hyjë në kolaps pa cisterna. Prej tyre ka pasoja higjienike, krijojnë mjaft rreziqe dhe nga qëndrimi mbi tarraca, por para si t’i heqësh ndërto një sistem.
Janë rreth 6700 të punësuar në sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve. Po ndodhin kthesa shumë të forta nga centralizimi, te rajonalizimi dhe më tej te centralizimi srish.
Europa e ka kthyer në menaxhim publik të deleguar, ia delegon pushtetit vendor. Një mënyrë tjetër është menaxhimi privat i deleguar.
Varianti tjetër është menaxhimi i drejtpërdrejtë privat dhe këtë model e ka Anglia, Uellsi dhe Republika Çeke.
Ka disa forma dhe modele se si qeveriset uji. Qeveria shqiptare në dhjetë vitet e fundit nuk ka arritur të ndërtojë një vizion të qartë, edhe pse shumë para janë hedhur.
Kam dyshimet e mia se krijimi i një operatori të vetëm kombëtar do jetë zgjidhja ideale. Nuk jam i bindur se një operator i vetëm kombëtar do na garantonte më shumë sukses.
Le të shpresojmë ta zgjidhim, por do ishte mirë të merrej përsipër mungesa e suksesit nga Kryeministri në këto vite.
Shqipëria renditet si një nga vendet me pasuri mjaft të shëndetshme ekonomike të ujit. Ujë nga qielli, nga toka, nga sipërfaqja, nga nëntoka. Me lumenj, me liqene artificiale dhe natyrale. Shumë lumenj dhe burime ujore nga më të ndryshme.
Është e pafalshme që gjithë kjo pasuri natyrore nuk është shfrytëzuar në shërbim të dimensionit social dhe ekonomik.
Ka dështuar vizioni, qëllimi, strategjia për të furnizuar me ujë 2.4 milionë qytetarë.
Portofoli ka qenë i mirë vitet e fundit por nuk ka qenë vizioni për të bërë një investim strategjik.



