KfW financon 100 milionë euro për sistemin elektroenergjetik

KfW financon 100 milionë euro për sistemin elektroenergjetik

Qeveria shqiptare dhe KfW nënshkruan sot marrëveshjen për financimin e një fondi prej 100 milionë eurosh për sistemin elektroenergjetik shqiptar.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe drejtori i Zyrës Rajonale të KfW-së për Shqipërinë, Björn Thies, në praninë edhe të ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ministrja Denaj u shpreh se sektori energjetik në Shqipëri dhe reformimi i tij mbetet prioritet në reformat strukturore të ndjekura për ekonominë. Ndaj vijoi ajo, dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është në zbatim të planit strategjik për reformimin e sektorit të energjisë në Shqipëri.

Sipas Denajt, ky plan strategjik përmban një sërë masash me qëllim krijimin e një tregu të organizuar sipas modelit të Bashkimit Evropian, i cili bazohet në çmime konkurruese dhe udhëhiqet nga parimet e të qenit transparent, jo diskriminues dhe i qëndrueshëm.

Marrëveshja e huasë prej 100 milionë euro, shtoi ajo, është një mbështetje e madhe për të përmirësuar proceset e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri.

“Qeveria ka marrë zotimin që të vijojë punën prej disa vitesh tashmë, një punë e cila ka disa rezultate konkrete, duke bërë realitet të plotë funksionimin e Bursës së Energjisë apo ndryshe APEX dhe hapjen graduale të tregut të shitjes me pakicë, së bashku me krijimin e një tregu konkurrues të energjisë”, tha Denaj.

Ministrja vlerësoi se sektori i energjisë do të jetë prioritet strategjik edhe në mandatin e tretë qeverisës, vazhdimësi e reformës së nisur edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf vlerësoi se reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare janë mbresëlënëse. Përmes kësaj marrëveshjeje, tha ai, qeveria gjermane mbështet reformën e transformimit të tregut të energjisë në Shqipëri, që është një hap i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, pasi synohet të krijohet një treg transparent që do nxisë rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe do të lehtësojë investimet e sektorit privat në tregun e energjisë.

Një moment të rëndësishëm për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe KfW e konsideroi marrëveshjen edhe drejtori i Zyrës Rajonale të KfW-së për Shqipërinë, Björn Thies.

"Energjetika, tha ai, është një sektor me rëndësi në kuadër të këtij bashkëpunimi. Me nënshkrimin e marrëveshjes hapet një kapitull i ri i bashkëpunimit të përbashkët.

Huaja me terma të butë prej 100 milionë euro ka një maturim prej 12 vjet, duke përfshirë periudhën prej 3 vitesh pa pagesë principali.

Vlera e angazhuar nga KfW për financimin e projekteve me anë të kredive është 678.59 milionë euro, ku peshën më të madhe e zënë investimet në sektorin e energjisë me 45.44%, në sektorin e ujësjellës kanalizimeve me 41.37% dhe në sektorë të tjerë me 13.19%.

Aktualisht, KfW financon 11 projekte nëpërmjet 12 kredive, 2 prej të cilave të garantuara.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy