
Kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Ardian Lekaj, paralajmëron për pasojat që pritet të përballet ekonomia botërore së paku në katër vitet e ardhshme.
Ai thotë se nga pranvera e vitit 2020 po kalojmë në dimrin e 2022 dhe se sot ndodhemi në mes të oqeanit dhe dallgët janë shumë të forta.
Për ata që mendojnë se ekonomia ka rritje, po i siguroj se ne sot jemi në krizë dhe krizë sa po vjen dhe po përkeqësohet. Ne po varfërohemi çdo ditë që kalon.
Kriza e sotme është një krizë globale, dhe ndoshta një nga krizat më të mëdha që kemi njohur pas viteve ‘70. Unë parashikoj që kjo krizë sapo ka filluar dhe do të zgjasë me siguri deri në vitin 2026.
Kjo që po ndodh sot nuk është gjë tjetër, por vetëm fillimi i një “supercikli”. Bota deri me sot njeh 4 “supercikle” të lëndëve të para bazë, për industrinë.
Supercikli i parë ishte në fillim të shekullit të kaluar e lidhur me revolucionin industrial të Shteteve të Bashkuara; Supercikli i dyti ishte i lidhur me situatën e Europës dhe Japonisë pas Luftës së Dytë Botërore;
Supercikli i tretë ndodhi me kërkesën energjetike të viteve ‘70; Supercikli i fundit është ai i pas viteve ‘90 me industrializimin e shpejtë të Kinës e cila arriti kulmin në vitet 2003-2008, ku çmimet e produkteve të lartpërmendura u rritën me më shumë se 50%.
COVID-19 ishte vetëm arsyeja e fillimit të këtij “supercikli” të ri. Një gjë është fare e qartë dhe besoj se kjo do të quhet “trazicion i gjelbër”. Mjafton të dëgjosh planet ambicioze për mbrojtjen e natyrës në SHBA, apo planin “Next Generation” të BE, apo përpjekjet e Kinës për të qenë CO2 neutral, atëherë do e kuptosh që kërkesa për lëndët e para do të rritet në forma të tjera për të ndërtuar infrastruktura të reja për energjinë.
Disa industri metalesh si ajo e bakrit, aluminit apo e kobaltit po përgatiten për një 10 vjeçar të shkëlqyer.
Gjatë një interviste ai u pyet lidhur me faktorët kryesore të kësaj krize dhe deklaroi se situata gjeopolitike dhe ajo financiare ngre një sëre pyetjesh, të cilat akoma nuk mundësojnë një parashikim analitik rezultatesh dhe afatesh, lidhur me luftën në Ukrainë, marrëdhëniet Amerikë-Kinë, por edhe se çfarë do të ndodhë me sistemin financiar botëror.
Lekaj shpreh bindjen se printimi i parave dhe hedhja e tyre në treg për të mbajtur në këmbë ekonominë është gabimi më i madh që ka ndodhur në dy vitet që lamë pas.
Ky veprim vetëm se e vonon krizën dhe i rrit dallgët e oqeanit. Pas një veprimi të tillë e vetmja gjë që do të ndodhë është rritja e falimentimeve, varfëria dhe polarizimi i mëtejshëm i shoqërisë.
Vendet e pasura morën kredi, gjatë periudhës së Covidit kundrejt një interesi prej rreth 0%, kurse vendet e varfra paguajnë 5-10 % ose nuk janë në gjendje të kreditohen.
Efektet negative të krizës janë si një emërues i përbashkët mbarëkombëtar. Sot të gjitha vendet po hasen me pothuajse të njëjtat probleme. Konkretisht jemi në kushtet e një ç’globalizimi të thelluar.
Tensionet e mëtejshme gjeopolitike, mungesa e fuqisë punëtore dhe si rezultat rritja e rrogave, pabarazia sociale dhe një polarizim i mëtejshëm në të pasur e të varfër, ku të pasurit do të pasurohen akoma më tepër, rritja e pagave nuk do të mbulojë dot inflacionin, rritja e detyrimeve financiare nga individët dhe kompanitë,
Mungesa e “cash flow”, falimentimet, rritja e papunësisë dhe e varfërisë janë rezultate të pranishme në mbarë botën.
I pyetur lidhur me masat që do të ndihmonin në zbutjen e krizës, Lekaj tha se shpresohet nëpërmjet bisedimeve, gjetja e rrugëzgjidhjes për ndalimin sa më të shpejtë të luftës në Ukrainë është prioritare.
Gjetja e një gjuhe të përbashkët Amerikë-Kinë dhe riaktivizimi i bisedave brenda G20, ulja e tensioneve gjeopolitike, Rritja e normës se interesit brenda një limiti të kontrollueshëm dhe shkollimi dhe edukimi i gjeneratës së ardhme në bazë të studimeve dhe orientimeve të karrierës dhe tregut të punës do të ishin pritshmëritë e radhës për një treg më të koordinuar duke parandaluar rreziqe më të mëdha.
E megjithatë “supercikli” ekonomik do të bëjë punën e vet. Ekonomia e tregut do të kërkojë një formë të re të kapitalizmit.



