
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë sot në takimet e nivelit të lartë, të Samitit të vendeve të Ballkanit Perendimor, që u mbajt në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ky takim u organizua online nga Ministria Federale për Çështjet Ekonomike dhe Energjinë e Gjermanisë.
Diskutimet u fokusuan në “Sfidat dhe perspektivat e tregut të përbashkët rajonal” dhe në “Rëndësinë e integrimit ekonomik brenda rajonit dhe Bashkimit Europian në kontekstin e rimëkëmbjes ekonomike”.
Në fjalën e saj, Ministrja Denaj, tha se “promovimi dhe kontributi aktiv për një bashkëpunim më të ngushtë të Ballkanit Perëndimor dhe procesi i integrimit në Bashkimin Europian mbeten prioritete për Shqipërinë”.
Ministrja nënvizoi disa arritje në kuadër të forcimit të bashkëpunimit rajonal drejt një tregu të përbashkët.
Sipas saj, nisma e Korridorit të Gjelbër, ka qenë thelbësore në lehtësimin e transportit dhe tregtisë së mallrave në rajon.
“Miratimi i Tregut të Përbashkët Rajonal në nëntor të vitit të kaluar, që e sjell Ballkanin perëndimor më afër integrimit për në BE. Shqipëria po punon për zbatimin e Planit të Veprimit për një Treg të Përbashkët Rajonal dhe katër fushat e saj të ndërhyrjes”.
Ajo shprehu përkushtimin dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për të arritur qëllimet e përbashkëta në secilën fushë dhe për të siguruar një integrim të përmirësuar ekonomik të rajonit.
“Ne mirëpresim që agjenda e ardhshme e integrimit rajonal 2021-2024 vendos përpara masa ambicioze rajonale për të përshpejtuar transformimin dixhital dhe për të rritur konvergjencën me Tregun e Vetëm Digjital të BE-së”.
Në këtë kuadër, Ministrja theksoi faktin se nevojiten politika të reja dhe bashkëpunim i fortë për të ndihmuar sektorin privat të rikuperohet nga humbjet e Covid-19, në mënyrë që të rifutet në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm.



