
Gjatë takimit me presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, kryedemokrati Basha, premtoi heqjen e taksës së Rrugës së Kombit, me të ardhur në pushtet. Për gazetarin e ekonomisë, Klodian Tomorri, heqja e traut nuk do të thotë domosdoshmërisht anulim i koncesionit. Sipas Tomorrit, një mundësi tjetër për t’u realizuar kjo, do të ishte taktika që u ndoq me koncesionin e skanimit në dogana.
“Heqja e traut nuk do të thotë anulim i koncesionit. Një mënyrë është që qeveria të marrë kostot në buxhet. E njëjta gjë ka ndodhur me skanimin në dogana. Rama në 2013 e rinegocioi kontratën dhe e mori përsipër ta paguante nga buxheti i shtetit. Ne sot paguajmë për të 12-13 milionë euro në vit. Një qeveri ka tagrin të anulojë çdo kontratë koncesionare, por pastaj duhet të paguash penalitete për prishje të njëanshme të kontratës. Në rastin e mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës, pasojat do të ishin të rënda. Me siguri do të shkonte në arbitrazh dhe shanset do të ishin të vogla për qeverinë shqiptare”, tha Tomorri.



