Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve në Shqipëri, të cilat hynë në fuqi sot, më 2 qershor, në orën 15:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për naftën e standardit SSH EN 590 është caktuar në 191 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë nuk duhet të kalojë 179 lekë për litër.
Për benzinën e standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 176 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në 164 lekë për litër.
Autoritetet bëjnë të ditur se në rast të shkeljeve nga operatorët e tregut do të merren masa, deri në pezullimin e aktivitetit të tyre.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, thekson se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.
Në sqarimin e publikuar nga Bordi, thuhet se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026. Për pasojë, për gazoilin dhe benzinën do të vijojë të zbatohet niveli i plotë i akcizës, në masën 100%.
Ndërkohë, për sektorin e peshkimit, çmimi i gazoilit është përcaktuar në 96 lekë për litër, duke përfituar nga përjashtimet ligjore për taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe detyrimet e akcizës, sipas legjislacionit në fuqi.



