Pedagogu dhe sipërmarrësi Rezart Lahi, për raportin e BERZH, sipas të cilit një e katërta e të shqiptarëve me arsim të lartë janë larguar nga vendi ngre si shqetësim mungesën e incentivave shtetërore.
Nga studio e “MCN Economy” ai deklaroi se duhet një plan shumë vjeçar dhe i saktë, për kthimin e trurit.
Sipas tij, kthimi i trurit nuk ka të bëjë vetëm me administratën, por krijimin e hapësirave të bizneseve, lehtësimin nga taksat dhe incentivat.
Vetëm 2-3% e atyre që jetojnë jashtë mund të kthehen në Shqipëri, pjesa tjetër është zgjedhje individuale. Ajo që shikoj problematike është se nuk po bëjmë incentiva të mirëfillta që këto njerëz të kthehen. Nuk u ktheva unë nga Amsterdami për të bërë Shqipërinë më të mirë. Mu dha hapësirë për të qenë pedagog në Amsterdam, por ambicia ime është të zhvilloj biznese dhe pashë që biznesin mund ta zhvilloj më mirë në Shqipëri, se aty ku ka shumë probleme ka dhe shumë mundësi.
Problemi është te incentivat që bëhen nga ana shtetërore. Duhet një plan shumë vjeçar dhe i saktë, për kthimin e trurit. Kthimi i trurit nuk ka të bëjë vetëm me administratën, por krijimin e hapësirave të bizneseve, lehtësimin nga taksat dhe incentivat. Ne nuk kemi nevojë të shpikim ndonjë gjë të madhe, por mund të marrim modele të ngjashme.
Problemi fillon që te pamundësia për të blerë një banesë dhe janë gjithë këto problematike që e detyrojnë individin të largohet. Pagat nuk rriten as me urdhër dhe as me dëshirë, por me produktivitet. Ne kemi ndër produktivitetet më të ulëta në rajon për punonjës. Momenti i rritjes së kompanisë mundëson edhe rritjen e pagave. Rritja e ekonomisë, ndalon largimin e emigracionit të trurit.



