
Eksperti i Ekonomisë Igli Tola tha se faktorët e jashtëm do ta impaktojnë ekonominë shqiptare. Duke folur në MCN Live ai u shpreh se nuk është e gabuar ngritja e bordeve nga qeveria, por theksoi se ngritja e bordeve pa disiplinuar tregun i rëndon më shumë konsumatorët. Tola u shpreh se është me rëndësi që përpos bordeve të ndërmerren masa për stimulimin e konsumit, duke ndihmuar edhe bizneset.
Të gjithë faktorët e jashtëm impaktojnë edhe gjendjen e aktorëve ekonomikë vendorë. Situata post-pandemike...Nuk pati kohë që ekonomia globale të merrte veten, pastaj konflikti në Ukrainë, sot ekonomia e Eurozonës ka hyrë në valën e një inflacioni të lartë. Indeksi i prodhimit vlerësohet që do jetë në masën 30 për qind. Indeksi i prodhimit është ai që paraprin inflacionin. Qytetarët duhet të presin që inflacioni të shkojë 20-30 për qind. Të ardhurat tona për frymë janë shumë më të ulëta krahasuar me rajonin. Duke u prekur qytetarët, preket indirekt biznesi. Rritja e çmimeve do shoqërohet më uljen e konsumit, tkurrjen e vendeve të punës. Këto do reflektohen edhe në të ardhurat buxhetore që do kenë problematika. Sot për të bërë një investim të kushton shumë më shumë se dje, qytetarët po tentojnë drejt kursimit, sepse e ardhmja është e paparashikueshme”
Çdo zë që pohon që qeveria nuk mund të ndërhyjë në çmime, është i gabuar, sepse me ligj qeveria mund të ndërhyjë. Nuk është Shqipëria vendi i parë që e bën. Por ngritja e bordeve pa disiplinuar tregun, sa rëndon më shumë konsumatorët. Sa nuk ka një rregullim të tregut të shumicës, vetëm ndërmarrja e bordeve sjell dëmtim të biznesit të vogël. Kur flasim për një entitet të vogël dhe të mesëm, ai mund të mos përballojë as kostot e tij. Pse jo mos funksionojnë bordi, por së pari duhet të shohë kushtet e operatorëve në treg. Të rregullojë tregjet ku ka dyshime për situata oligopoliste apo monopoliste. Gjëja më e rëndësishme përpos bordeve, është të ndërmerren masa për stimulimin e konsumit, duke ndihmuar edhe bizneset. Të mendohet për amnisti fiskale për periudha të caktuara. Mbase qeveria po kënaqet se kemi tejkalim të të ardhurave për shkak të rritjes së çmimeve, por në afatgjatë do jetë shumë e vështirë. Sot akoma 60-70 për qind e të ardhurave sigurohen nga taksat e qytetarëve. Por vjen një moment që qytetarët kaq mbajnë dhe shkojnë në faliment familjar”.



