3 janë arsyet kryesore përse sistemi energjtik i vendit dështoi të përballojë krizën e çmimeve të larta.
E para lidhet me menaxhimin e fondeve që ka mbledhur në vitet e reformës Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.
E dyta me mungesën e vizionit dhjetra vjeçar të atyre që kanë udhëhequr këtë sektor dhe nuk kanë investuar në vepra të reja të prodhimit të energjisë
E treta ka të bëjë me rritjen me 1 miliard kilovat orë të konsumit të energjisë gjatë 2021. Shifra lidhet me prodhimin e kriptomonedhave dhe kultivimit të kanabisit në ambjente të mbyllura.
Shpërdorimi i fondeve nga mbledhja e faturave të energjisë me fryrjen e administratës së OSHEE, shpenzime luksi për trajnime, godina e mobilime dhe mungesa e investimeve të plota në rrjetin e shpërndarjes për uljen e humbjeve sollën kaotizëm në bilance.
Lufta kundër lidhjeve të paligjshme, mbledhja e faturave të papaguara si nga qytetarët ashtu dhe nga institucionet publike bënë që për herë të parë në vitin 2015 OSHEE të dilte me 132 milion euro fitim.
Paratë shkonin kryesisht për blerjet e energjisë, pagat e stafit, pagesë borxhesh, ndërtesa, makina e trajnime.
Që nga viti 2019 dhe deri më sot OSHEE nuk ka patur asnjë rezultat financiar pozitiv. 3 vitet e fundit humbja është 170 milion euro.
Nëse këto të dhëna janë mbajtur larg syrit të publikut, tashmë kriza i nxorri zbuluar.
Shteti u detyrua të garantojë kredi me vlerë 200 milion euro për të përballuar faturën e importeve.
Që të ulë faturën për blerjet e energjisë OSHEE duhet të ulte humbjet në rrjetin e saj.
Në këtë pikë investimet duhet të kishin peshën kryesore të bilanceve.
Në fakt në kompani dominojnë shpenzimet operative dhe jo ato kapitale.
Madje investimet për periudhën 2014-2018 janë 100 milion euro më të ulta se fitimi i këtyre viteve.
Në këto 5 vite të ardhurat e OSHEE ishin 2.5 miliardë euro. Nga këto para janë shpenzuar vetëm 275 milion euro për rrjetin. Fitimi total i këtyre viteve ishte 375 milion.
Në planin e rimëkëmbjes së sektorit qeveria i vuri detyrë vetes që humbjet në rrjetin e shpërndarjes të ulem me 5% në vit për të arritur 8% në fund të vitit 2020.
Sot, 2 vjet nga ky afat , niveli i humbjeve është 2.5 herë më i lartë: 20.4% e energjisë që kalon në rrjet.
Nëse qytetarët përmirësuan sjelljen e tyre dhe po paguajnë energjinë elektrike: OSHEE është larg angazhimit të marrë.
Të dytët që nuk kanë përmbushur detyrimet janë ujësjellësit që kanë akumuluar vitet e fundit një borxh me vlerë 194 milion euro.
Po të ishin ulur humbjet sipas planit, fatura e importeve të energjisë do të kishte përgjysmuar në këtë kohë krize.
Mungesa e kapaciteteve te reja prodhuese
Vlera 2 miliard euro e nevojës për konsum të energjisë elektrike nuk është aq e frikshme në konstekstin shqiptar.
Më shumë se 70% e kërkesës plotësohet nga burimet prodhuese të vendit.
Madje në disa vite vendi ynë ka arritur të mbulojë tërësisht konsumin për energji elektrike.
Për shembull, vitin që lamë pas bilanci energjitik nxorri vendin eksportues neto me një sasi prej 0.6 terravat orë.
Kolapsi i sektorit kishte të bënte me kohën kur u bënë transkasionet: eksportuam kur çmimet ishin lirë dhe importuam kur u rritën.
Në pronësi të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare është Kaskada e ndërtuar mbi lumin Drin.
Të 3 hidrocentralet e saj janë ndërtuar në vitet e komunizmit.
Më i vogli prej tyre, Vau i Dejës nisi punën në vitin 1971, gjatë kohës së elektrifikimit të vendit.
Në vitin 1978 përfundoi Fierza, i cili ka rolin e rregullatorit për shkak të basenit të madh prej 2.7 miliard metër kub ujë.
Fierza shërben për të ruajtuar rezervën hidrike.
Hidrocentrali kryesor i të gjithë kaskadës është Komani, i vënë në shfrytëzim në 1985’ën. Komani bën balancimin dhe ka motorrët kryesorë të prodhimit.
Në të njëjtën periudhë Shqipëria ndërtoi edhe disa hidrocentralë të vegjël, të cilat reformat i privatizuan gjatë viteve të demokracisë.
Logjika ishte kontraverse: Shteti vendos që prodhimin e energjisë ta mbajë publik, hapja e vendit drejt ekonomisë së tregut rriti konsumin, por kapacitetet e prodhimit u ulën.
Reformat e bëra ndër vite stimuluan vetëm sektorin privat.
Qindra leje ndërtimi hidrocentralesh u dhanë gjatë qeverisë Berisha dhe po kaq janë dhënë edhe në 10 vjeçarin e fundit të qeverisë socialiste.
Investimi i vetëm i rëndësishëm i Korporatës Elektroenergjitike është Termocentrali i Vlorës, i cili qëkur u dorëzua në vitin 2010 nuk u vu në punë asnjë ditë.
Sistemi që do të shërbente për ftohjen e turbinës dhe tubi i shkarkimit nuk punonin .
Çështja mes firmës që mori 110 milion euro për ta ndërtuar dhe shtetit shqiptar zgjati me vite nëpër gjykata.
Edhe sikur TEC-i të punonte, kosto e prodhimit të energjisë nga teknologjia e tij me naftë ishte më e lartë se sa energjia në tregje.
Investimi ishte jo efiçent dhe nuk do të kthehej kurrë!
Në gjithë këto vite KESH ka shpenzuar 2 milion euro në vit për mirëmbajtjen e kësaj vepre.
Kalimi i gazsjellsit TAP në Shqipëri dhe kriza e energjisë sollën në vëmendje nevojën për të.
Kthimi i teknologjisë së tij nga naftë në gaz do të ulte ndjeshëm koston e prodhimit të energjisë.
Por nëse tubacioni i gazsjellësit Trans Adriatic do të ndërtohej për 7 vjet, Shqipëria nuk do të bënte asgjë në këtë drejtim përveç masterplaneve dhe konsulencave miliona euro.
Sipas raportit të ekspertit “Roland Berger” të kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për të bërë vlerësimin e rregullimit të kësaj vepre do të duheshin 56 milion euro.
Këtu përfshihej shtrimi i tubacionit të gazit nga pika dalëse e TAP në Fier, konvertimi në gaz si dhe riparimi e probleme teknike të tij.
Këto 56 milion euro nuk u dhanë asnjëherë.
Sot, 5 vjet pas këtij studimi, Shqipëria ka marrë me qira dy anije me naftë për të prodhuar energji elektrike.
Kapaciteti i tyre është i njëjtë me atë të termocentralit: 100 megavat prodhim në orë.
Këto dy anije përveç ndotjes që do të shkaktojnë do t’i kushtojnë KESH-it 336 milion euro për 2 vjet.
Nëse Tec-i do të riparohej kosto e prodhimit të energjisë prej tij do të ishte të paktën 3 herë më pak!
Pavarësisht krizës së energjisë, politikat e qeverisë për shtimin e burimeve që prodhojnë energji vazhdojnë të jenë dritëshkurtra.
E njëjta firmë që po sjell anijet, Excelerate Energy, do të marrë në shfrytëzim TEC-in e Vlorës për ta riparuar, të ndërtojë një port lundrues për gazin dhe të rrisë kapacitetin prodhues të tij.
Ky investim do t’i kushtojë asaj 120 milion euro, para të cilat do t’i marrë nga faturat që KESH do të paguajë për qiranë e anijeve.
Kompanitë amerikane erdhën në Shqipëri për herë të parë në vitin 2020: Exxon Mobil dhe Excelerate Energy patën bekimin e zyrtarëve të lartë amerikanë dhe të anëtarëve të qeverisë.
Sipas deklaratave publike, tashmë TEC-i Vlorës kur të vendoset në punë, do të furnizohet me gazin që do të sjellë Exxon Mobil dhe jo atë të TAP.
Askush nuk ka nxjerrë një kosto financiare se sa do të kushtojë gazi natyror që do të vijë me kontenier nga Shtetet e Bashkuara dhe ai që do të kalojë nga Azerbajxhani në Shqipëri me destinacion të fundit Europën?
Rritja e konsumit me 1 miliard kilovat orë
Në këtë tabelë duket qartë konsumi total në 10 vitet e fundit i energjisë elektrike.
Asnjëherë nevojat e vendit për energji nuk e kanë kaluar sasinë 7.5 terravat orë.
Çudia ka ndodhur në vitin 2021 ku u konsumi kapërcepu në 8.4 terravat orë.
Nëse rritja mesatare e konsumit vjetor të energjisë nuk ka qënë më shumë se 2% në vit, vitin e shkuar ishte 10%!
Çfarë ndodhi?
Sipas ekspertëve por edhe vetë OSHEE gjatë vitit 2021 janë vënë re dy fenomene masive ne vend prodhimi i bitcoin dhe kultivimimi i kanabisit në ambjete të mbyllura.
Të dyja këto aktivitete të paligjshme kërkojnë energji elektrike të madhe dhe në të gjitha rastet ajo vidhet.
Për të prodhuar një Bitcoin, energjia që nevojitet vlerësohet të jetë 1400 kilovat orë, aq sa konsumi mujor i 3 familjeve.
Për prodhimin e kanabis brenda shtëpive të barit , energjia që kërkohet për 1 kilogram është 5000 mijë kilovat orë.
Aktivitetet e paligjshme kanë qënë një problem i ngritur shpesh edhe nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.
Ndërsa gjatë 2021 dhe 2022 njoftimet e policisë për arrestime të persona që prodhojnë kriptovaluta dhe kultivojnë kanabis në shtëpi janë të shpeshta.
Ekspertët janë të bindur që rritja e konsumit të energjisë nuk lidhet as me rritjen e ekonomisë gjatë vitit që lamë pas.



