BSH hap fushatën ndërgjegjësuese: “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”

BSH hap fushatën ndërgjegjësuese: “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”

Në ambientet e Bankës së Shqipërisë u organizua sot hapja e fushatës ndërgjegjësuese “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”.

Kjo iniciativë e re e Bankës së Shqipërisë ka si qëllim ndërgjegjësimin e publikut për mospërdorimin e termave të gabuar “lek i ri” dhe “lek i vjetër” në veprimet e tyre financiare, terminologji që ka sjellë në kohë një konfuzion të vazhdueshëm.

Pikërisht  për  të  shmangur  këtë  konfuzion, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një fushatë kombëtare disavjeçare, për të theksuar se monedha shqiptare quhet thjesht Lek dhe vlera nominale e saj është ajo e shkruar mbi monedhë apo kartëmonedhë.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, Prof. Dr. Adrian Civici, akademik i Asociuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Valbona Treska, presidente e Urdhrit të Psikologut.

Gjatë fjalës së tij, guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë vendosi të ndërmarrë këtë fushatë në kuadër të rolit të saj në edukimin financiar si dhe në përmbushje të rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Shqipërisë për këtë qëllim, në rezolutat e vlerësimit të veprimtarisë së institucionit tonë.

 “Të dhënat e vrojtimin në bazë kombëtare për matjen e shkallës së përdorimit të terminologjisë “lek i ri – lek i vjetër” dëshmojnë se komunikimi i gabuar i vlerës së lekut është një fenomen mjaft prezent në shoqërinë tonë, pasi më shumë se gjysma e të intervistuarve e lexojnë apo e identifikojnë gabim vlerën e lekut”, tha Guvernatori Sejko.

Gjithashtu, vijoi ai, rezultatet tregojnë se komunikimi i gabuar i vlerës së lekut varion sipas grupeve socio-demografike, si grupmosha, niveli arsimor, punësimi, niveli i të ardhurave etj.

Për realizimin e kësaj fushate, Banka e Shqipërisë do të bashkëpunojë me institucione relevante, duke synuar ndërtimin e një platforme gjithëpërfshirëse me mjete dhe kanale komunikimi, ndër të cilat veçojmë bashkëpunimin me: Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për të organizuar leksione për nxënësit dhe gjimnazistët pranë Muzeut të Bankës së Shqipërisë; universitetet për të organizuar leksione në auditore me ekonomistë, psikologë etj; Autoritetin e Medias Audiovizive për të ndërgjegjësuar sa më shumë mediat të shmangin përdorimin e kësaj terminologjie; Dhomën e Tregtisë për të rritur ndërgjegjësimin e subjekteve tregtare si dhe me qëllim që çmimet të jenë të shprehura vetëm në monedhën vendase; institucione të tjera kombëtare e lokale për shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe posterave të përgatitur nga Banka e Shqipërisë për këtë qëllim.

Në përfundim të aktivitetit, në emër të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori ftoi të gjitha institucionet e lartpërmendura që t’i bashkohen angazhimit të Bankës për të ndërgjegjësuar publikun shqiptar për të lënë pas njëherë e përgjithmonë përdorimin e kësaj terminologjie të gabuar në marrëdhëniet ekonomike e financiare, me bindjen se ka ardhur koha ta kthejmë atë përfundimisht në një relikt linguistik. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy