Si kompania serbe EFT i nxori jashtë loje konkurentët e saj në garë
Adi DARSI
Kompania KESH ka qenë, është e do të jetë kushedi se edhe për sa kohë, prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në vend. Si një kompani publike që operon në një treg të rregulluar, KESH pjesën më të madhe të prodhimit të vet e jep per OSHEE, e cila furnizon konsumatorët familjarë dhe të tjerë. Procedura është e rregulluar me ligje e akte nënligjore që përcaktojnë gjithcka, përfshirë sigurisht edhe cmimet e sasitë. Por në kushte të prurjeve të larta hidrike, e tillë ka qenë gjysma e parë e 2016, KESH arrin të prodhojë shumë më tepër se sa kërkesa, apo e thënë ndryshe nevoja e OSHEE. Nëse nuk e bën këtë detyrohet të derdhë ujë nga Kaskada e Drinit. Kjo përgjithësisht në 2016 nuk ka ndodhur, pasi tre hidrocentralet, Fierza, Komani dhe Vau i Dejës kanë punuar me regjim të plotë. Ku ka shkuar energjia e tepërt? Alternativat e përcaktuara në ligj për KESH-in janë dy: ose e shet ose e shkëmben, dmth e jep për ta marrë më vonë por me disa specifikime teknike. Duket sikur gjithcka merr fund këtu. Në fakt jo.
Cfarë ka ndodhur?
Ndërmjet shumë procedurave për shitje blerje (apo optimizim sic e quajnë ndryshe) KESH më 11 korrik 2016 shpall një procedurë për depozitim të energjisë. Ftohen të gjithë kompanitë tregtare që të garojnë në bazë të një kërkese me shkrim të bërë nga administrator i KESH, Agron Hetoja. (http://www.kesh.al/Njoftim.aspx?_NKatID=1304) Në garë futen 5 kompani. Fituese shpallet vetëm njëra prej tyre: kompania EFT. Vazhdimi i procedurës dhe shpallja e fituesit nuk janë më në faqeb e KESH. (http://www.kesh.al/Njoftim.aspx?_NKatID=1309). EFT duke patur një TEC me linjit në Bosnjë premton ta kthejë energjinë e marrë kur të dojë KESH dhe pa asnjë kosto për prodhuesin shqiptar. Dy nga pjesëmarrësit e tjerë në garë GEN-I Tirana dhe AXPO Trading AG ankimohen në ERE. Me ankesën e tyre bashkëngjitet edhe Shoqata e Prodhuesve të Energjisë, AAES. Pas marrjes së ankesës ndërhyn ERE. Me një vendim të Bordit të Komisionerëve (http://ere.gov.al/doc/VENDIM_NR.131_2016.pdf) të marrë me 15 gusht 2016 urdhërohet KESH të ndërpresë menjëherë procedurën dhe njoftimin e ndërprerjes ta shpallë në ueb faqen e vet zyrtare. Kjo nuk ndodh. KESH ndërkohë, pasi ka marrë që më 28 korrik 2016 miratimin e bordit të vet drejtues, e ka lidhur kontratën me EFT, dhe nuk ka se si të ndërpresë një procedurë që e ka mbyllur.
Depozitim, po apo jo
2016 ka qenë një vit i mbarë energjetik. KESH pasi ka ezauruar mundësitë për të depozituar energjinë e tepërt disa herë ka provuar ta shesë atë në treg. Por cmimi që ka marrë, në kushtet kur tregu është i tejngopur me energji, ka qenë pothuajse sa kostoja e prodhimit diku tek 11 euro për megavat. Ndërkohë cmimet e bursës janë rreth 40 euro për megavat. “Ka një oligopol të tre katër kompanive tregtare që vendosin cmimet si duan vetë. Ata e dinë se unë nuk kam ku e coj energjinë e tepërt dhe se në të kundërt jam i detyruar të derdh ujin nga kaskada dhe më vendosin cmimet që duan vetë”, thotë administratori i KESH, Agron Hetoja. Në këto kushte KESH ka gjetur një rrugë të ndërmjetme që as ujin nuk e derdh e as energjinë nuk e shet. Depozitimi. Por këtë e kundërshton ERE. “Atë cfarë ligji nuk e ndalon është e lejuar të bëhet - thotë administrator Hetoja. Unë dola në treg shpreha nevojën time të cilën ma plotësoi pa asnjë kosto për korporatën kompania EFT. Energjinë e dhënë e marr kur të dua pa as një kosto shtesë”. Por ndryshe mendon kreu i Bordit të ERE, Petrit Ahmetaj. “Ligji e ka gjithcka të përcaktuar dhe KESH operon në një treg të rregulluar, thotë Ahmetaj. Nuk mund të shpiken terma dhe nuk ka nevojë për të demostruar indipendencë, shton ai. Shqetësimin e tij për këtë përplasje ai e ka diskutuar edhe me ministrin e energjetikës. Ndërkohë këshilltarja e Gjiknurit, Entela Cipa që është kryetare e Bordit të KESH, dhe që ka miratuar procedurën e administratorit Hetoja, thotë se “Ligji i ri në frymën e tij ka liberalizimin dhe se për pjesën e tepërt të energjisë KESH është si të gjithë prodhuesit e tjerë dhe nuk ka pse të jetë një prodhues i rregulluar”. Në fakt ligji i ri i energjisë ka vetëm një vit që është miratuar. “Nëse ERE e ka këtë merak, pra për ta rregulluar veprimtarinë e KESH edhe për “tepricën e tepricave”, atëherë të propozojë ndryshimet përkatëse në ligj”, thotë zonja Cipa e cila dikur vetë ka qenë anëtare e Bordit të ERE.
Kompanitë
Në tregun e shitjes dhe blerjes së energjisë ka shumë kompani të licensuara. Por ndërmjet tyre vetëm 4 janë ata që kanë peshë dhe që kryejnë transaksione prej miliona euro në vit, të energjisë që importohet dhe eksportohet. Kompanitë janë më e madhja prej tyre EFT, e regjistruar në Zvicër me zyrë përfaqësuese në Shqipëri dhe me përfaqësues zotin Enver Uruci. AXPO Trading edhe kjo e regjistruar në Zvicër me përfaqësues tregtar zotin Naskë Afezolli, GEN-I Tirana përfaqësia e kompanisë sllovene GEN-I me këshilltar teknik zotin Sokol Spahiu dhe GSA që është kompani shqiptare me përfaqësues zotin Agron Shapllo. Personat e sipërpërmendur përvecse me lidhje të forta me vendimarrësit në tregun e energjisë kanë qenë edhe drejtuesit e drejtorisë tregtare të KESH në kohë të ndryshme. Të afërm të disave prej tyre kanë aktualisht poste me rëndësi në sistemin energjetik të vendit. Përplasja institucionale mes KESH dhe qeverisë nga njëra anë dhe ERE nga ana tjetër nuk është cudi të jetë e ndikuar prej tyre. Nga njëra anë pavarësisht se drejtuesi i KESH, ka vepruar si një menaxher modern, oferta e EFT që e ofron gjithcka pa kosto nuk ngjet si veprim biznesi por si një “bamirësi”. Të jetë e tillë? Kreu i Bordit të ERE Ahmetaj pyet “Cili është interesi i kësaj kontrate?” dhe njëkohësisht kërkon që “kjo duhet të demostrohet”. Ndërkohë administratori i KESH nga ana tjetër, pasi ka lidhur një kontratë të sukseshme pyet “Përse u ankuan dy kompanitë në një kohë kur asnjëra prej tyre nuk plotësonte kushtin e kërkuar që më parë në ftesë?” Ai ngre dyshime për vendimarrjen e ERE dhe më 31 gusht ka kërkuar rishikimin e vendimit. Në lojë janë miliona euro. Interesi publik po ashtu, packa se të dy palët flasin në emër të tij. Konflikti është i hapur.



