Eksperti i turizmit Zak Topuzi tha në “Mcn Economy” se deri më tani certifikimin me yje për hotelet e ka bërë Kryeministria, përmes një VKM-je.
Topuzi tha se ekziston një platformë online, e cila ende s’është bërë funksionale, pasi s’janë krijuar grupet e certifikimit dhe s’është nënshkruar kontrata. Provizorisht ky proces po kryhet me vetëdeklarim.
Topuzi vë në dukje se sa më shumë vonohemi për t’i çuar standardet në vend, aq më e rëndë është kostoja. Ai shton se për dy vjet duhen plotësuar standardet e BE-së dhe do jetë kosto e rëndë për bizneset e vogla e familjare.
“Certifikimet, yjet, janë dhënë vetëm për hotelet me 4 dhe 5 yje që kanë një brand, janë dhënë nga Kryeministria. Vlerësimet janë kryesisht nga motorët e shitjes, që kanë vlerësimin e vet. Ballkani është një markë tashmë dhe paketat janë të përbashkëta. Nëse një turist prenoton hotele me 3-4 yje në Malin e Zi, Kosovë, Shqipëria ngec cik këtu, sepse psh. duhet të kesh tharësen e flokëve. Problemi lidhet me këtë…Qeveria para një muaji bëri një VKM të shpejtuar që hapi procesin e klasifikimit me yje, përmes një platforme online, që s’e ka vënë akoma në funksion. Akoma s’ka krijuar grupet e certifikimit dhe s’ka bërë kontratën. Nxori një vendim këto dy dite, përjashtimisht deri në nënshkrimin e marrëveshjes, ti vetdeklarohu dhe do ta japë ministria provizorisht. Ne jemi të vetmit që s’kemi hotele me yje zyrtarisht. Tani s’është luksi pjesa më e rëndësishme, është shërbimi. Cilësia e fjetjes mori pikë më tepër, se sa të kesh mermer, etj. Deri tani certifikimi me yje është bërë nga Kryeministria, me një VKM. Në zgjedhjet e 2021 ne bëmë një ballafaqim si sektor dhe kërkuam vendosjen e yjeve me standarde sepse nuk firmosnim dot kontratat me agjencitë e huaja. Akoma procesi është vetëdeklarim, sepse s’ka grupe, ekspert, akoma s’është lidhur kontrata. Ti vetëdeklaron që jam bujtinë, hotel, apo apartament. Sa më shumë të vonohemi, aq më e rëndë është kostoja për t’i çuar standardet në vend. Nëse s’ke bërë dyer, dyshek, perde kundra zjarrit, ke investime shumë të mëdha për të plotësuar standardin. Kjo dëmton edhe ata që janë duke u marrë me investime. Për dy vjet që duhet të plotësosh standardet e BE do jetë kosto e madhe për biznesin e vogël dhe familjar, për t’i çuar në standardin minimal të mbrojtjes nga zjarri, pale standardet e tjera”.



