
Banka Credins ka reaguar për mediat në lidhje me shkëputjet e shërbimit online të ditëve të fundit. Sipas Bankës, për të informuar drejtë "dhe evitimin e shqetësimeve të klientëve, Banka Credins njofton se ka qenë pre e një sulmi kibernetik, ku për pasojë një sistem periferik është prekur e më tej është izoluar duke siguruar që janë zbatuar masat më të larta të sigurisë informatike.
“Stafet tona të teknologjisë së informacionit dhe sigurisë, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë, duke njoftuar të gjitha organet rregullatore e mbikqyrëse të cilat janë duke ofruar mbështetjen maksimale", thuhet në reagimin e Credins Bank.
Banka Credins i siguron të gjithë klientët, se të gjitha llogaritë dhe asetet e tyre janë të sigurta dhe të paprekura nga ky sulm.
Banka Credins u kërkon ndjesë të gjithë klientëve për shqetësimet e krijuara duke theksuar se siguria e tyre është e garantuar. Gjithashtu, Banka njofton se publikimi i informatave personale në mënyrë të paautorizuar përbën shkelje ligjore, prandaj edhe kërkohet ndalimi i shpërndarjes se këtyre informatave.
MCN TV



