
Parku Natyror Korab-Koritnik në Shqipëri, Parku Kombëtar Sharri në Kosovë dhe Parku Kombëtar i Mavrovës dhe Parku Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut do të jenë së shpejti pjesë e një parku ndërkufitar, më i madhi i këtij lloji në Evropë me një sipërfaqe mbi 242 mijë hektarë.
Kjo u bë e ditur nga ministrja Mirela Kumbaro, në takimin e përbashkët ndërministror “Natyrë pa kufij” mes Ministres së Mjedisit dhe Turizmit Kumbaro, Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës, Liburn Aliu dhe Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut, Naser Nuredinit.
Me homologët Liburn Aliu dhe Naser Nuredini nënshkruajmë memorandumin për krijimin e një zone të mbrojtur të përbashkët mes Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut, ku përfshihet Korab-Koritniku, Sharri, Mavrova dhe Mali i Sharrit për t'i dhënë jetë parkut më të madh ndërkufitar në Europë me një sipërfaqe që i kalon 240 mijë hektarë.
Sipas ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës Liburn Aliu, ky projekt do të ofrojë një optikë të re për zhvillimin e zonës së bjeshkës së Sharrit.
I kemi këta kufij në mes dhe kemi dëshira për përfitime nga kompani të ndryshme që duan të depërtojnë dhe të ndërtojnë në atë zonë.
Detyra jonë është që të vendosim rregulla duke pasur parasysh të kaluarën në mënyrë që edhe të zhvillohemi, edhe ta shfrytëzojmë, por edhe ta mbrojmë atë çka është mjaft e vlefshme. Në vitin 2013 e kemi rritur territorin e Parkut Kombëtar të Sharrit në 53.469 hektarë.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini foli për një vizion që mbron vlerat natyrore të zonave të mbrojtura, por nga ana tjetër siguron një menaxhim të qëndrueshëm duke mos i kthyer ato në muze të natyrës.
Lidhja natyrore ndërkufitare e zonave të mbrojtura të Parkut Natyror Korab–Koritnik në Shqipëri, Parkut Kombëtar të Mavrovës dhe Parkut Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe Parku Kombëtar Sharri në Kosovë, hap mundësi të reja për mbrojtje më të madhe të florës dhe faunës, duke u përballur më mirë me veprimet ilegale, monitorim më të mirë, mundësi më të mëdha për zhvillimin e ekoturizmit dhe formave alternative të turizmit.
Ky projekt mes tre vendeve synon zhvillimin e përbashkët ndërkufitar i turizmit miqësor ndaj natyrës, menaxhim i përbashkët ndërkufitar i rajonit, promovimin e përbashkët të trashëgimisë së veçantë natyrore dhe kulturore përtej kufijve etj. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të UNEP, Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara, që do të mbështesë këtë projekt.



