
Propozimin e PD-së për uljen e TVSH-së së ushqimeve të shportës në 6 për qind, gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri e sheh si një nismë të sforcuar. Sipas tij, një ulje e tillë, edhe nëse vihet në zbatim, nuk do të ndikojë te xhepat e qytetarëve. Një propozim më efektiv sipas tij do të ishte ai i uljes së TVSH-së për energjinë dhe ujin.
Ato që rekomandohen më shumë janë politikat në krahun e shpenzimeve. Përsa i përket propozimit të PD, mendoj se është një nismë e sforcuar për të thënë që jemi këtu do bëjmë opozitë. Ju e dini situatën në PD, ndaj Bashës ka pasur akuza për opozitë të butë dhe marrëveshje të fshehta me qeverinë. Ulja e TVSH-së është një politikë e keqe. Të gjitha qeveritë e kanë provuar, e bëri Berisha me tarifat e universiteteve private. E njëjta gjë ka ndodhur me heqjen e TVSH në turizëm. Do të ishte me vend ulja apo heqja e TVSH për energjinë dhe ujin, pasi kjo do të çonte direkt në uljen e çmimit. Në rastin e ushqimeve, ulja e TVSH-së do të shkojë për biznesin e këtij sektori.



