
Përmes drejtorit të kabinetit në PD, Dorian Teliti, kjo parti ka dalë kundër vendimit të qeverisë për t’i deleguar tatimpaguesit drejt Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara duke shmangur tatimet.
Sipas Telitit, kjo gjë përkeqëson edhe më shumë klimën e të bërit biznes, teksa shtoi më tej se ADISA nuk ka kapacitetet e duhura për të bërë biznes.
“Qeveria e Edi Ramës vijon të rëndojë klimën e biznesit në Shqipëri, vendos një tjetër barrierë proceduriale antiligjore. Çdo biznes nuk do të ketë më marrëdhënie direkte me tatimet, por me agjencinë pa ekspertizë dhe pa kapacitet ADISA”- shprehet Dorian Teliti.
Teliti tha se PD do të krijojë një sistem tatimor të thjeshtë për biznesin, minimizim të kontrolleve tatimore, si dhe taksa të ulëta.
Kujtojmë, se në datën 2 tetor, Qeveria vendosi që të kalojë sportelet e shërbimit për bizneset nga drejtoria e tatimeve tek ADISA, agjenci kjo e cila është në varësi të Kryeministrisë.



