Eksperti i pasurive të paluajtshme, Gjergj Begaj, diskutoi në studion e MCN Economy në lidhje me legalizimin dhe rivlerësimin e pronës. Begaj tha se reformat duhej të ishin bërë gradualisht.
Ka një gjë. Shumë ndërtues i kanë lënë përgjysmë punimet dhe janë larguar. E kanë bërë dy herë shitjen e një apartamenti. Që në kohën e Lames u bë një marrëveshje që këto objekte të kalojnë në sitën e legalizimeve. Por ka edhe abuzime.
Po realizohen disa detyra për t’u përmbushur nga qeveria përsa u përket kapitujve 11 dhe 12. Por kjo nuk bëhet me një të rënë të lapsit. Reformat duhet të ishin bërë më përpara. Duhej ndërhyrje fazë pas faze dhe të gjitha ndërtimet informale në Shqipëri të legalizoheshin.
Fillimisht u tha legalizim, më pas urbanizim dhe legalizim. Është e drejtë që një shtëpi ose një objekt që nuk ka dokumente pronësie nuk i takon të marrë edhe shërbimet e lidhjes së energjisë dhe ujit. Pra, të dy këto institucione të shtrojnë kabllo dhe tuba. Prandaj ky është formalizimi, legalizimi dhe urbanizimi. Një pjesë e madhe i kanë lidhur kontratat në një formë ose në një tjetër. Pjesa më e madhe e kanë gjetur mundësinë dhe i kanë lidhur.
Po marr një rast sot. Më erdhi një klient. E ka bërë në Bërzhitë, në një kodër, 400 metër nga ajo që njihet si vijë e verdhë. Legalizimi i është refuzuar.
Begaj tha se ndërhyrjet e pastudiuara mirë mund të sjellin kaos social. Kjo sepse nuk është ende e qartë sa është numri i ndërtimeve informale.
Legalizimet ose ndërtimet informale kanë nisur që në 1992, kur ndryshoi sistemi. Filloi edhe lëvizja e popullatës nga zonat rurale në zonat urbane. Aty zaptuan tokën që e gjetën bosh. Dikush ndërtoi, dikush bëri shtëpi të vogël, sipas buxheteve. Kjo e detyroi qeverinë dhe parlamentin që të nxirrte ligjin e legalizimit. Ligji e ka nisur këtë funksion që nga 2006 e në vazhdim. Gjatë kësaj kohës është ndryshuar. Është folur për 250 mijë, pastaj 300 mijë por asnjëherë nuk i është dalë në krye ndërtimeve informale.
Nuk është e drejtë të shemben, sepse mund të kemi një shifër të madhe objektesh. Nuk mund të bësh një kaos të tillë të madh.



