Shqipëria po ecën me shpejtësi drejt përdorimit të parasë elektronike dhe digjitalizimit të pagesave, por ekspertët e sektorit theksojnë se tregu ende përballet me pengesa strukturore dhe vonesa në zhvillim.
Sipas Deivis Shomo, sipërmarrës në sektorin IT në ‘MCN Economy’, hapja e tregut dhe përfshirja më e gjerë e aktorëve të pagesave elektronike do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e volumit të transaksioneve dhe në formalizimin e ekonomisë.
Shomo thekson se aktualisht sistemi mbetet i dominuar nga bankat, duke krijuar një lloj çekuilibri në treg.
Kjo ka të gjitha sistemet e pagesave, akses kanë pasur vetëm bankat dhe kjo sjell një anomalitet të tregut, ku edhe paratë elektronike duhet të kenë akses. Po u jepet dhe kjo, do bëjë që edhe numrat e transaksioneve të sistemit IPE të vijnë në rritje.
Bankat dominojnë tregun sepse kanë shumë produkte bankare dhe menaxhojnë paratë e njerëzve. Sa i përket remitancave, janë ato që do dominojnë tregun dhe me ndryshimet e fundit që po bëhen do të jetë produkti më i lirë dhe më i shpejtë, duke hapur më shumë tregun.
Ai shton se zhvillimi i pagesave elektronike kërkon më shumë alternativa për konsumatorët dhe bizneset, duke theksuar rëndësinë e inovacionit dhe konkurrencës në treg.
Sfida është të kalojmë te pagesat elektronike ditore dhe kjo do bëjë që shifrat të rriten edhe më shumë dhe të kenë volum më të madh se çfarë kanë sot. Çdo biznes ka interes të digjitalizohet, por mënyra më e mirë është duke i dhënë alternativën më të mirë.
Sipas tij, zhvillimi i mëtejshëm i sektorit do të varet nga hapja e tregut dhe nga aftësia e aktorëve të rinj për të ofruar shërbime më të shpejta, më të lira dhe më të aksesueshme për qytetarët.



