
Premtimet e qeverisë Rama për ndërtimin e porteve tregtare dhe turistike në Vlorë dhe Durrës, për gazetarin e ekonomisë Klodian Tomorri, janë deri diku të papërballueshme.
Në kohën kur sipas tij është premtuar investimi nga investitorët arab për një port turistik në Durrës, hezitimi qëndron në faktin se gjatë rrugës rëndom këto projekte ndryshojnë, dhe nuk investohen ashtu siç janë planifikuar.
"Si në Vlorë si në Durrës, portet ekzistuese të mallrave do të zhvendosen nga vendet ku janë aktualisht. Në Durrës ku sot është një port tregtar, do të ndërtohet një port turistik nga investitorët arab të cilët do të ndërtojnë përveç portit edhe një sërë godinash, hotelesh, për ta shndërruar në një qendër turistike deri në 2 miliard euro. Kjo do të jetë ngjarje e mirë nëse aty do të ndërtohen hotele, por frika dhe skepticizmi im është se ky projekt do të devijoj rrugës siç ndodh rëndom në Shqipëri dhe mund të përfundoj në ndërtimin e disa pallateve dhe një pjesë shumë të vogël hotelesh dhe disa pallate të cilat do të ndërtohen nga investitori privat që përfiton aty nja 100 hektar tokë, por nëse aty do të ndërtohen pallate, publiku shqiptar nuk fiton asgjë, vetëm humb tokën shtetërore, projekti nuk ka dal dhe gjithçka është në fazën e premtimeve, porse nuk ka një projekt konkret të miratuar", tha Tomorri.
Tomorri, shprehu shqetësimin se ku do të sigurohen rreth 600 milionë euro për ndërtimin e Portit tregtare në zonën e Porto Romanos.
"Shqetësimi tjetër është porti i mallrave, Porti i Durrësit është më i madhi, aty hyjnë diku 70 % e mallrave që Shqipëria importon nga jashtë, heqja e këtij porti nga aty, dhe premtimi i qeverisë për të ndërtuar një port tjetër tregtar në zonën e Porto Romano me paratë e buxhetit të shtetit, kjo është pjesa e paqartë e cila më shton skepticizmin, sepse për të ndërtuar një port me standarde nevojiten diku minimalisht 500-600 milionë euro, unë nuk shikoj mundësinë se si Shqipëria mund të financoj këtë projekt me paratë e buxhetit“, shtoi ai.



