Gjatë takimit me sipërmarrësit, kryeministri Edi Rama paralajmëroi caktimin e një çmimi reference për hotelet.
“Hotelet duhet të përgatiten që vitin e ardhshëm do të kenë një referencë. Kaq do t’ia japësh shtetit, se nuk ka mundësi tjetër. Ne kemi 1.1 milionë turistë në shtator dhe me këtë trend mund të shkojmë 10 milionë turistë këtë vit. Nuk kemi dashur të hyjmë Airbnb, pasi e kemi parë si një ndihmë për familjet”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi po ashtu se taksa 3 për qind e strehimit social do të merret aty ku ndërtohet.
“Janë mbledhur 100 milionë për socialen. Unë mendoj se Bashkia e Tiranës nuk duhet t’ju tolerojë. Duhet ta jepni 3% aty ku ju ndërtoni,” tha Rama.
“Askush nuk ju detyron të ndërtoni, nuk u ka vënë njeri thikën. Ju ndërtoni se ka shumë interes dhe fitoni shumë dhe bravo ju qoftë. Mos hajdeni të bëni si shtresë në nevojë. Ne flasim për procedurat ju thoni kemi çuar letër dhe kërkoni që shteti të mos marrë atë që i takon për njerëzit.Thoni pse shteti na kap duke gënjyer në mes të vitit se, ne jemi mësuar të na kapin në fund të vitit. Ju gënjeni nga halli, por vjen një moment që shtyhet më tutje kufiri dhe kështu harmonizojmë interesat më mirë", shtoi ai.



