Kostandin Foni, nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas thotë se në takimin e sotëm me titullarët e institucioneve, nuk pati vendimmarrje lidhur me ndërhyrjen që duhet bërë në transportin publik.
Nga studio e “MCN Economy” ai deklaroi se nga katër pikat e kërkuara nga operatorët e transportit publik, vetëm njëra u dakordësua, e cila ka të bëjë me riaktivizimin e paketës së emergjencës së vitit 2022, kur çmimi i karburantit ishte pothuajse në nivelet e sotme.
Patëm sot takimin me ministrinë e Financave, ministrinë e Ekonomisë dhe Bashkinë Tiranë. I sotmi ishte takimi i dytë, i pari ishte në 1 prill dhe u la që do të kishte një takim të dytë në 7 prill, takim i cili nuk u realizua dhe nuk pati asnjë reagim deri sot. Sot u thirrën përsëri të gjithë aktorët e transportit, qytetas, ndërqytetas dhe interurban, ku u prezantua ndihma financiare, paketa e emergjencës.
Në paketën e emergjencës ishte përcaktuar riaktivizimi i asaj të vitit 2022, kur çmimi i karburantit ishte pothuajse në të njëjtat nivele. Tashmë qeveria na propozoi që kjo paketë të mos jetë 100 lekë për litër, por 50%. Ne nuk u dakordësuam, pasi ne nuk kemi vetëm karburantin si kosto të shtuar. Nuk ka vendimmarrje ende, do dalë me vendim qeverie.
Ne kemi kërkuar katër pika, riaktivizimi i paketës së emergjencës, së dyti heqja e akcizës për karburantet për shërbimin publik. Kemi kërkuar heqjen e taksës së qarkullimit që nuk ka pse të jetë për mjetet publike. Kemi kërkuar TVSH-në për shitjen, që është 20% e çmimit të biletës. Kemi propozuar që nëse këto taksa nuk hiqen dot nga litri i karburantit, atëherë të rimbursohet.
Mekanizmat janë, mund të gjendet një mekanizëm se si operatorët deklarojnë litrat e konsumuara dhe të kompensohen për këto taksa që kemi kërkuar. 50 lekëshi është i pamjaftueshëm, nuk mjafton për të mbuluar kostot e shtuara. Kemi lënë takim javën e ardhshme, ku do të diskutojmë dhe pikat e tjera. Janë 12 operatorë me 16 linja.



