
Moszbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel po bëhet pengesë për integrimin e Kosovës në një treg të përbashkët energjetik me Shqipërinë. Barriera që ngre Serbia ishte një nga porblemet e evidentuara në forumin ndërkombëtar "Bashkimi i Tregut në Sektorin e Energjisë mes Kosovës dhe Shqipërisë", të organizuar mes dy shteteve fqinje, raporton Zeri.Info
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në prezantimin e arritjeve të Kosovës në sektorin energjetik ka përmendur marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit prej 500 megavatesh të nënshkruar me kompaninë "Contour Global", si dhe ligjin për efiçiencë që parasheh kursimet e Kosovës.
Ai përmendi efektet e kësaj marrëveshjeje të përbashkët, në mes tyre përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji dhe rritjen e volumit të shkëmbimeve bashkë me rritjen e të ardhurave.
"Kemi një pengesë nga zbatimi i marrëveshjes së interkonjeksionit me Serbinë, është i pamundur integrimi i Kosovës me Shqipërinë. I kemi lëvizur disa gjëra po presim që deri në fund të këtij viti, Kosova të jetë bllok i pavarur energjetik", ka thënë ai.
Në këtë takim, në mungesë të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Damian Gjinkuri, ka folur një përfaqësuese e këtij dikasteri.
"Synojmë të shtojmë 400 megavat për gjenerimin e kapaciteteve të energjisë. Po punojmë për sigurimin e furnizimit me energji. Themelimi i bursës së energjisë është aktivitet tjetër. Grupet teknike po punojnë. Shqipëria ka 6 linja të interkoneksjonit me vendet në fuqi", është shprehur ajo.



