Nga sot në vend do të jetë në qarkullim Leja e re e qarkullimit të mjeteve, e cila do të jetë plotësisht në standardet e BE-së.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se leja e re e qarkullimit të mjeteve ofrohet tashmë me kushte më të larta sigurie, pa afat skandence, rezistente ndaj dëmtimeve dhe me një çmim më të lirë.
Deri sot paguhej 3,500 lekë për lejen e qarkullimit aktuale, certifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare të mjetit. Nga sot leja e re që unifikon dokumentet e mjetit në 1, do të kushtojë vetëm 2,100 lekë, ose 40% më pak.
Leja e re nuk do ketë vula kolaudimi, pra nuk bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale dhe nuk ka afat skadence. Leja e re përfshin të dhëna sipas kodeve të BE, datë regjistrimi për herë të parë, vit prodhimi, qiramarrës, etj.
Po ashtu, leja e re unifikon të dhënat dhe eliminon certifikatën e pronësisë së mjetit.
Çdo vit, mbi 150 mijë qytetarë apo subjekte që konsumojnë shërbime për regjistrime të reja mjeti, ndërrim pronësie, humbje apo dëmtim, ndryshime konstruktive, e shërbime të tjera, dhe do të pajisen me lejen e re të qarkullimit, do t’u kursehen 210 milionë lekë, ose 1.75 milionë euro.



