Ndërsa prej katër muajsh qytetarët dhe aktivistët mjedisorë ndodhen në rrugë duke protestuar kundër planeve të ndërtimit në Zvërnec, dhëndri i ish-presidentit Donald Trump, Jared Kushner, ka thyer heshtjen duke reaguar për herë të parë. Kushner ka hedhur poshtë pretendimet se pasuria i është falur nga shteti shqiptar, duke zbuluar se toka është blerë përmes një transaksioni të pastër privat.
Drejtori Ekzekutiv i organizatës "EcoAlbania", biologu Olisi Nika, ka lëshuar një alarm të fortë lidhur me pasojat që ky investim do të sjellë mbi mjedisin, duke e cilësuar atë si një "shkatërrim të pakthyeshëm të ekosistemit".
I ftuar në MCN, Nika tha se, projekti i cili parashikon ndërtime nga hiçi në një zonë të virgjër natyrore, po zhvillohet në mungesë të plotë të transparencës.
Ai thekson se zona gëzon statusin e zonës së mbrojtur dhe shteti ka detyrimin ligjor për ta ruajtur të paprekur.
Unë nuk di të them me saktësi se çfarë sjell realisht ky investim, përveç faktit që flitet për një shifër të madhe prej 4 miliardë eurosh. Këto modele mjedisore nuk është se shfaqen për herë të parë këtu, i kemi parë edhe në vende të tjera. Por ajo që është e sigurt është se transparenca për këtë projekt është zero.
Nëse ky projekt bëhet, dëmet do të jenë plotësisht të pakthyeshme. Sjellin një shkatërrim të plotë të ekosistemit dhe një transformim të pakthyeshëm të zonës së Vjosës, për shkak të një ndërtimi nga hiçi në një zonë të virgjër natyrore. Ajo është një zonë e mbrojtur, shteti ka detyrimin ligjor ta ruajë si të tillë dhe asnjë lloj investimi i kësaj natyre nuk duhet të jetë i lejueshëm."



