
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, thotë se Durana Tech Park është në qendër të vizionit të qeverisë për transformimin ekonomik të vendit përmes inovacionit, teknologjisë dhe mbështetjes së startup-eve.
Gjatë fjalës së saj në workshop-in konsultativ të zhvilluar me rezidentët e “Durana Tech Park” dhe përfaqësues të institucioneve të zhvillimit territorial, në kuadër të fazës së re të zhvillimit të parkut teknologjik, Ibrahimaj është shprehur se projekti po kalon nga modeli virtual drejt ndërtimit të infrastrukturës fizike, e cila do të krijojë kushte optimale për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve me vlerë të shtuar.
Ibrahimaj theksoi se ekonomia shqiptare ndodhet në një moment kyç, ku prioritet është rritja e konkurrueshmërisë, nxitja e eksporteve të produkteve me vlerë të lartë, si dhe rritja e produktivitetit përmes investimeve në inovacion, veçanërisht në sektorin privat.
Krahas 55 kompanive rezidente, edhe 25 të tjera pritet t’i bashkohen komunitetit në vijim. Javën e ardhshme pritet shpallja e thirrjes për grante për startup-et që duan të bëhen pjesë e saj.



