
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka publikuar së fundmi paketën “Agjenda e Investimeve 2021“, me 40 rekomandime, drejtuar Qeverisë dhe Parlamentit të Ri me synim përmirësimin e shpejtë të Klimës së Biznesit.
Lidhur me këtë projekt, ambasadorja amerikane Yuri Kim, është shprehur të jetë optimiste për bashkëpunim të mëtejshëm për të rritur investimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
“Duhet të kemi rregulla të qarta, që të zbatohen për të gjithë. Gjykata të pastra në rast mosmarrëveshjesh. Të drejta të besueshme të pronës dhe transparencë në prokurimin publik”, shkruan Kim në Twitter.
Ambasadorja shtoi se, gjatë muajit tetor të vitit 2020, ata vendosën kuadrin për një bashkëpunim më të madh ekonomik.
“Investimet do të rriten, ndërsa korrupsioni dhe pengesat e tjera hiqen”, theksoi Ambasadorja e SHBA-ve.
Kim thotë se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik që duhet vlerësuar dhe zhvilluar plotësisht.
40 rekomandimet në raport janë të organizuara në tetë themele përmirësimi të klimës së biznesit. Kjo parashikon sfidat, zgjidhjet dhe mundësitë e reja që krijohen.
Agjenda synon një strategji bashkëkohore për tërheqjen e suksesshme të investimeve të huaja, për t’u implementuar dhe monituar nga nivelet më të larta në Qeveri.
Rekomandimet synojnë rritje ekonomike, duke adresuar elementë specifikë të ekonomisë.
Implementimi i këtyre rekomandimeve garanton ndërtimin e një klime biznesi dinamike dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend konkurrent në rajon.



