
Më 19 shtator të vitit të kaluar, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhej në Fiera Levante në Bari. Aty as që guxonte të bënte lojëra fjalësh, por fliste troç për të tërhequr investitorët italianë në “vendin e shqiponjave”.
Pastaj erdhi COVID-19 dhe qeveria e Tiranës, për të treguar miqësinë e saj dhe se sa pranë Italisë është në momente të vështira, dërgoi mjekët dhe infermierët e saj për të na ndihmuar në luftën me infeksionin.
Por pas pandemisë, në fakt, një surprizë e keqe u ra sipërmarrjeve italiane të shpërndarjes së energjisë, që vitet e fundit kanë vendosur të punojnë në anën tjetër të Adriatikut. Janë shumë, mbi të gjitha kompanitë që i shesin energji qeverisë.
Llogaritja e çmimit të shitjes së energjisë së prodhuar nga privatët (16 për qindëshi i kërkesës kombëtare, në 2019-ën) është fiksuar në fillim të vitit me një llogaritje që lidhej me indeksin e bursës hungareze dhe shkëmbimin euro/lek. Por në maj, Rama uli koefiçentin, duke e reduktuar çmimin me rreth 8%.
Një goditje poshtë mesit dhe jo e vetmja. Qoftë sepse, siç kujton zyra Ice e Tiranës, bëhet fjalë për “të tretin ndryshim të njëanshëm të vendosur nga qeveria shqiptare për investitorët e sektorit hidroelektrik”.
Por zërat janë shtuar se qeveria shqiptare mund të ngrejë edhe taksën mbi fitimet për kompanitë, nga 15% në 17-20%, duke e zhdukur regjimin e lehtësimit fiskal që i interesonte realisht kompanive energjitike. Dhe ekziston frika se qeveria dëshiron monopolin shtetëror të energjisë.
“Jemi të gatshëm të ulemi në një tavolinë me kryeministrin Rama, në lidhje me prerogativat e të gjithëve”, – thotë presidenti i Confindustria Albania, Sergio Fontana, i cili paralajmëron:
“Shqipëria duhet të bëjë ç’të jetë e mundur për të tërhequr investimet, duke fiksuar me të gjitha palët e interesuara çmimet e energjisë që u lejojnë këtyre investimeve konsideratën e e të qenit të besueshme. Shqipëria zotëron një ar blu që meriton të shfrytëzohet, por që gjithë kjo të jetë e mundur, duhet që Shqipëria të vendosë rregulla sipas standardeve evropiane”./Il Giornale



