Sharka: Kemi taksat më të larta në rajon dhe mungesë subvencionesh, fermerët në vështirësi (VIDEO)

Sharka: Kemi taksat më të larta në rajon dhe mungesë subvencionesh, fermerët në vështirësi (VIDEO)

Situata në sektorin e bujqësisë, veçanërisht në zonën e Myzeqesë, paraqitet e vështirë këtë sezon, me ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet dhe furnizimin e tregut me perime vendase.

 

Eksperti i bujqësisë, Eduard Sharka, në një lidhje me studion e lajmeve në ‘MCN TV’ u shpreh se prodhimet e serrave kanë dalë me vonesë dhe në sasi më të kufizuar, kryesisht për shkak të kushteve klimatike dhe mungesës së mbështetjes për fermerët.

 

Sipas Sharkës, megjithëse kërkesa në treg është rritur, oferta mbetet e ulët, çka ka sjellë rritje të çmimeve. 

 

Prodhimet kanë dalë rreth një muaj me vonesë dhe kjo ka rritur kërkesën në treg. Është një situatë që ndodh rrallë dhe në njëfarë mënyre është pozitive për fermerët.

 

Eksperti thekson se problemet strukturore në sektor vazhdojnë të rëndojnë mbi fermerët. 

 

Kemi taksat më të larta në rajon, mungesë subvencionesh dhe mungesë kontrolli të tregut. Në vendet e BE-së dhe rajon, ndërhyrja e shtetit ndikon në uljen e çmimeve deri në 30%, ndërsa tek ne mungon transparenca dhe funksionimi i institucioneve.

 

Ai shton se ulja e sipërfaqeve të serrave dhe kostot në rritje kanë ndikuar drejtpërdrejt në prodhim. Megjithatë, sipas tij, edhe pse prodhimi vendas është më i ulët, ai mbetet i mjaftueshëm për tregun e brendshëm. 

 

Vonesa në prodhim dhe rritja e kostove kanë sjellë dalje më të vonshme të produkteve në treg, por kërkesa në rajon është rritur.

 

Sharka kërkon ndërhyrje urgjente nga politika, sidomos në drejtim të lehtësimit fiskal. 

 

Nevojitet vullnet politik për uljen e TVSH-së dhe mbështetje konkrete për fermerët, përndryshe çmimet do të mbeten të larta për konsumatorët.

 

Eksperti paralajmëron se varësia në rritje nga importet mund të sjellë pasoja të rënda për ekonominë vendase. 

 

Po ndjekim politika fiskale të gabuara dhe kjo rrit varësinë nga importi. Nëse kjo vazhdon, do të dëmtojë jo vetëm bujqësinë, por edhe sektorë të tjerë si turizmi. Aktualisht jemi në një situatë amullie totale.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy