Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po zhvillon sot një takim me përfaqësuesit e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë.
Lideri demokrat vuri në dukje kushtet e vështira me të cilat iu duhet të operojnë farmacistët, teksa nënvizoi se ka nisur një mungesë e theksuar e ilaçeve për koronavirusin.
Basha tha se ndaj farmacistëve hidhen akuza të pabaza dhe se trajtimi i COVID ka një kosto të papërballueshme.
“Vetëm një paketë e vogël e trajtimit rimbursohet. Ka alarm për mungesën e barnave të rimbursueshme. Farmacitë janë bërë si dyqanet me lista borxhesh, njerëzit po marrin barna me lista. Marrja e barnave me listë po shndërrohet në këtë dukuri normale.”
Ndër të tjera, Basha iu premtoi se PD do të bëjë gjithçka për t’i mbështetur në këtë kohë.
“Kemi bërë thirrje për blerjen e dozave të vaksinave për gripin stinor. Do të bëjmë gjithçka që në reformën tërësore të sistemit shëndetësor farmacistët shqiptarë do të gjejnë veten.”
Më tej ai ka denoncuar edhe tenderin për maskat. Sipas Lulzim Bashës, qeveria i ka blerë maskat me dyfishin e çmimit real.
“Farmacistët as formalisht nuk kanë qenë pjesë e paketës së qeverisë dhe ka dy raste që i janë kushtuar jetë. Qeveria po mundohet të gjejë fajtorë dhe po na përball ne si opozitë me alibi dhe akuza të padrejta, hedhur dhe në drejtimin tuaj për të fshehur skandalin.
Janë hedhur akuza në drejtim të farmacistëve. Ka skandale me tenderat sekretë ku një maskë blihej me dyfishin e çmimit. Të dhënat që më janë përgatitur nga grupi i punës, bëhet fjalë për një maskë që quhet FFP2, që në farmaci blihej me 400 lekë të reja, ndërkohë që në tenderin sekret blihej me 6.5 euro, ose 800 lekë të reja", tha Basha.



