Gazetari Lorenc Rabeta duke folur në “Mcn Economy” tha që kompanitë e sigurimeve paguajnë shumë pak para dëmshpërblim, ndonëse arkëtojnë shumë para.
Ai vë në dukje se raporti prim-dëm është shumë i vogël, ku kompanitë marrin 30 lekë dhe paguajnë vetëm 10.

"Ka raportuar dje në Kuvend AMF, dhe për fat të keq kaloi mes zhurmës politike dhe u anashkaluan gjëra të rëndësishme. U anashkalua fakti që po raporton AMF, një institucion kaq i rëndësishëm, në një moment kaq të rëndësishëm. AMF ka pjesën e vet të kontrollit edhe në tregun e mikrokredive. Janar-Maj kemi rritje të numrit të aksidenteve me 46 për qind, dhe rënie të vdekjeve. Ne kemi mesatarisht 270-300 vdekje në vit që është shifër e madhe në raport me vendet e rajonit. Kompanitë arkëtojnë shumë para, dhe nga këto paguajnë shumë pak për dëmshpërblimet. Raporti është 1/3. Kompanitë marrin 30 lekë dhe paguajnë 10 lekë. Është një raport i vogël prim-dëm. Është kjo shifër shumë e ulët. Shkaku kryesor është pikërisht ky që kompanitë përpiqen që të minimizojnë sa më shumë dëmet. Ata përdorin çdo hapësirë ligjore, çdo zvarritje proceduriale, boshllëqet e gjyqësorit. Kanë një pjesë dividenti që mund ta mbajnë dhe pjesë tjetër do ta investojnë në bono thesari. Kompanitë kanë një rezultat financiar të shkëlqyeshëm, por paguajnë shumë pak dëme. Kemi edhe shumë shoferë të pasiguruar, dhe kur goditesh nga shofer i pasiguruar s’ke ku merr dëmshpërblimit. Këtu duhet të hynte në lojë Byroja e Sigurimit”.



