Partia e Lirisë i është drejtuar qeverisë me një paketë propozimesh, që sipas saj, kanë për qëllim lehtësimin e krizës së çmimeve për qytetarët. Në një deklaratë për mediat, sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Tedi Blushi, tha se rënia e konsumit të produkteve bazë me 40% është tregues i domosdoshëmrisë së ndërhyrjes së qeverisë.
“Rënia e konsumit po krijon situatë të vështirë edhe te biznesi, që gjithë presionin është i detyruar ta shkarkojë në uljen e pagave të punonjësve dhe shkurtimin e vendeve të punës.Ky është rrënimi ekonomik, që po mbjell Qeveria e Edi Ramës që jo vetëm vjedh papushim taksat e shqiptarëve me inceneratorët, PPP, koncensione, tendera sekretë dhe rrugë të florinjta, por po fut duart edhe në xhepat e tyre duke i grabitur çdo ditë me çmimet abuzive të ushqimeve dhe naftës, që vetë i vendos e kontrollon”.
1. Indeksoni pagat!
2. Rritni rrogat dhe pensionet!
3. Mbështetni financiarisht me të paktën 50-70 euro në muaj çdo qytetar mbi 18 vjeç!
4. Ulni TVSH-në për produktet e konsumit, duke ndjekur shembujt e vendeve të rajonit.
5. Që turizmi të marrë frymë, mbështeteni me paketa konkrete ndihme.
6. Lehtësoni çmimin e karburanteve duke pezulluar taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit, (nismë ligjore e depozituar tashmë në Kuvend), sepse edhe ukrainasit në luftë e blejnë sot naftën më lirë (1.4 eu/litër) se shqiptarët në (1.9 eu/litri).



