
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përfunduar misionin në Shqipëri dhe në deklaratën e fundit është fokusuar tek rritja e pagave në sektorin shtetëror. Sipas përfaqësuesve të FMN-së, kjo do të sjellë një rritje të inflacionit, që do të detyrojë Bankën e Shqipërisë të shtrëngojë më tej politikën monetare. FMN shton se rritja e buxhetit për paga në publik, duhet të koordinohet me masa fiskale. Këtë vit, FMN pret që rritja ekonomike të jetë e moderuar, rreth 3%, për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike të partnerëve tregtarë, tërheqjes së politikës mbështetëse dhe kushteve më të shtrënguara financiare. Besimi i vazhdueshëm i konsumatorëve dhe turizmi do të mbështesin aktivitetin ekonomik për këtë vit.



