Ankandi i parë në Bursën Shqiptare të Energjisë Eletrike ALPEX është hedhur sot duke i hapur rrugë kështu zyrtarisht operimit të kësaj burse.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi në ceremoninë e nisjes së operimit të Bursës se Shqipëria është sot në pozitat më të mira në rajon sa i përket strategjisë energjetike.
Shqipëria është në një nga pozitat më të mira në rajon sa i përket strategjisë energjetike dhe zhvillimit që do t’i japim vendit për të arritur objektivin për të qenë një vend eksportues neto energjie në vitin 2030.
Ka qenë një rrugë e vështirë për të dizenjuar këtë strategji dhe për ta bërë atë koherente. Diversifikimi i burimeve të rinovueshme është synimi kryesor, por nuk harrojmë faktin se qëndrueshmëria dhe siguria energjetike mbeten kryesoret.
Balluku vuri në dukje se, viti 2022 shënoi nevojë ekstreme të të pasurit të një burse për Shqipërinë dhe Kosovën.
Kjo është një punë 5-vjeçare dhe në disa momente dukej e pamundur, por viti 2022 ka shënuar nevojën ekstreme të të pasurit të një burse energjetike për Shqipërinë dhe Kosovën.
Sot lançojmë ankandin e parë të ALPX-të të ditës në avancë, duke krijuar kështu një mundësi që brenda 12 muajve të kemi edhe tre ankande ditore të intraday duke kompletuar këtë proces.
Ministrja e Kosovës për Ekonominë, Artane Rizvanolli e pranishme në ceremoni bëri të ditur se Kosova do të futet në Bursën e Energjisë (ALPEX) në muajin shtator.
“Presim që gjatë muajit shtator të fillojmë ankandin e parë që do të tregtohet përmes ALPEX në zonën tregtare të Kosovës dhe njëkohësisht edhe bashkimin e tregjeve Kosovë-Shqipëri.
Sipas saj, Shqipëria dhe Kosova rritën bashkëpunimin ndërmjet tyre duke bërë që të dy vendet të mund të mbrohen nga importi i shtrenjtë i energjisë elektrike duke u kursyer rreth 50 milionë euro qytetarëve të Kosovës dhe po aq edhe atyre të Shqipërisë.
E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Yuri Kim, e cila në fjalën e saj tha se Shqipëria duhet të përmirësojë klimën e biznesit.
SHBA po e ndihmon sektorin energjetik shqiptar për të rritur transparencën dhe konkurrencën. Do të ketë më shumë furnizim dhe çmime më të lira.
Lidhja e tregut Shqipëri-Kosovë do ta bëjë më të fortë atë. Kur punojmë se bashku mund të arrijmë gjera të mëdha. Shqipërinë duam ta shohim që të rrisë potencialin energjetik.
Operimi i Bursës Shqiptare tw Energjisë Elektrike do të krijojë kushtet për një treg transparent dhe likuid, si dhe do të krijojë mundësinë për zgjerimin me bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike me Kosovën, si një fazë e parë, me rajonin dhe më tej, me tregjet e BE-së, në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të përbashkët Evropian.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin ku përcaktohen procedurat e zbatimit dhe fillimit të aplikimit të regjimit të veçantë për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike.
Sipas këtij vendimi, tregtimi i energjisë elektrike në Bursën e Energjisë do të kryhet në përputhje me modelin e tregut të energjisë elektrike dhe rregullat e tregtimit.
Bursa, në rolin e saj si kundërpalë qendrore, vendoset ndërmjet transaksioneve brenda tregut të energjisë elektrike dhe merr rolin e blerësit kundrejt kundërpalës shitëse dhe rolin e shitësit kundrejt kundërpalës blerëse.



