
Tregu i pasurive të paluajtshme dhe sektori i ndërtimit në Shqipëri po japin sinjalet e para të një kthese të rëndësishme.
Sondazhi periodik i Bankës së Shqipërisë (BSH) ka nxjerrë në pah një rënie të indeksit të besimit te ndërtuesit.
Panelistët në “MCN economy”, zhvilluesi dhe sipërmarrësi Rrezart Lahi, dhe gazetarja Ola Xama, ndan mendimet mbi gjetjet e këtij sondazhi.
Lahi e sheh këtë ngadalësim si një zhvillim pozitiv dhe të shëndetshëm për ekonominë.
Ngadalësimi i kërkesës tregon se tregu po gjen ekuilibrat e vetë pas një faze rritjeje të pandalshme.
Unë shikoj një element që ka të bëjë me stabilizimin e tregut. Një qëndrueshmëri e stabilizimit do të thotë që nuk mund të ketë çmime që vrapojnë gjithë kohën. Si në asnjë pjesë të ekonomisë nuk mund të ketë patjetër ngritje të pandalshme dhe patjetër që një treg që ngadalëson disa kërkesa nuk është domosdoshmërisht një treg në krizë, por është një treg që po gjen ekuilibrat e vetë.
Dhe nëse ka klientë që mendohen dy herë për të blerë një pronë, ky është lajm i mirë, sepse do të thotë që ka projekte të caktuara që po analizohen më mirë dhe nuk ka ai trendi që thjesht ndërto se sado do shitet. Në qoftë se po ndjekim atë fitimin e sigurt në mënyrë të përshkallëzuar, tashmë do ketë projekte që njerëzit do shikojnë ndërtuesin, zhvilluesin, projektet, zonat e caktuara, pasi edhe Tirana apo Shqipëria nuk zhvillohet njëkohësisht në të njëjtën mënyrë. Qendra zhvillohet ndryshe, periferitë ndryshe, zonat afër liqeneve ndryshe, zonat në hyrje të Tiranës ndryshe.
Shikoj nje përqendrim te projekteve të duhur dhe duhet të ketë një moment kur stabilizmi duhet te vije,
Nuk është sinjal negativ, por tregon se tregu po konsolidohet.
Duhet të vinte një moment kur stabilizimi do të ndodhte, pasi çmimet nuk mund të ngriheshin gjithë kohën pafundësisht.
Gazetarja Xama vuri theksin te shifrat konkrete të stokut të banesave të pabanuara, duke argumentuar se tregu ka një mospërputhje të madhe mes ofertës së lartë dhe kërkesës reale.
Numri i apartamenteve të pabanuara ka kërcyer nga 40,000 në rreth 57,000 - 58,000 raste. Këto të dhëna bazohen te faturat me konsum zero të energjisë elektrike nga OSHEE.
Sektori mbetet tejet i preferuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni për pastrimin e parave në shuma të mëdha.
Një pjesë e blerjeve vjen nga individë që nuk duan t'i mbajnë paratë e ngrira në banka.
Rënia e besimit në tremujorin e fundit mund të jetë edhe pasojë e hetimeve të shtuara të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në sektorin e ndërtimit.
Sipas saj, për të kuptuar nëse do të kemi çrregullime të vërteta, duhet ta monitorojmë ecurinë për një periudhë njëvjeçare, pasi Tirana dhe zonat bregdetare kanë tipologji dhe kërkesa të ndryshme.
Tani flasim me shifrën e publikuar nga indeksi i besimit të konsumatorëve në sektorë të ekonomisë që është indeksi i besimit te sektori i ndërtimit.
Kjo është një anketë që zhvillohet nga Banka e Shqipërisë e cila është e ndryshueshme në varësi të tremujorëve që publikon Banka e Shqipërisë.
Pra nuk është një sinjal që kemi rënie të kontratave të porosive, sepse është bërë anketa dhe kanë dalë këto të dhëna. Mund të jetë ose një dukuri tremujore, mund të jetë e vërtetë që ka një rënie të besimit te sektori i ndërtimit dhe kemi një dekurajim të konsumatorit apo klientit për të bërë porosi të reja të apartamenteve.
Nga ana tjetër mund të kemi edhe stabilizimin të kërkesës dhe ofertës. Pra ka po arrin piku i tregut ku ndërtuesit shohin që ka mundësi për të zhvilluar biznes në sektorin e ndërtimit, ndërkohë që konsumatori po ndalet dhe të dyja linjat në grafik po shkojnë drejt përputhshmërisë dhe kemi këtë shifër.
Për të kuptuar nëse do kemi çrregullime, nëse mund ta gjej fjalën e saktë, sektori i ndërtimit duhet të shohim për një periudhë disa mujore, disa tremujore, pra njëvjeçare, se si do të jetë ecuria e tregut sa i takon çmimeve, si do të jetë ecuria e tregut sa i takon kërkesave për leje dhe këtu flasim për kryeqytetin, sepse zonat e bregdetit me kryeqytetin, duke qenë edhe për shkak të tipologjive të ndryshme që ofrojnë për konsumatorët, janë të ndryshme edhe te kërkesa dhe oferta dhe do të shohim më pas edhe stokun i cili do të reflektojë nëse do ketë ose jo stabilizim të çmimeve.
