Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi të hënën p/ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për konvertimin e borxhit për zhvillim”.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Brikena Jazxhi tha se marrëveshja për konvertimin e borxhit për zhvillim synon promovimin e kohezionit social në bazë territorial, zhvillimin rajonal të balancuar, barazinë sociale dhe krijimin e vendeve të punës me synim mbështetjen e aspiratës së Shqipërisë për anëtarësim në BE.
“Marrëveshja në vetvete synon konvertimin e një sërë detyrimesh që kemi ndaj Italisë në kuadër të borxheve ose kredive të akorduara në kontribut financiar , i cili do të depozitohet në 9 këste, në një llogari të posaçme në Bankën e Shqipërisë”, sqaroi Jazxhi.



