Në Kosovë rritet çmimi i bukës dhe produkteve bazë/ Kurti: Faji i pandemisë dhe çmimi i energjisë

Në Kosovë rritet çmimi i bukës dhe produkteve bazë/ Kurti: Faji i pandemisë dhe çmimi i energjisë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për rritjen e çmimit të bukës dhe produkteve të tjera bazë, duke argumentuar si shkak kryesor, ekspozimin ndaj inflacionit që sipas tij vjen pas shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë si dhe rritja në nivel global e çmimit të energjisë.

“Kosova, sikurse e gjithë bota, i është ekspozuar një inflacioni që kryesisht vjen si rezultat i katër faktorëve: shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit global më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave. Shkalla e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave në fund të muajit shtator ishte 4.9%, gjë që është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka kërkuar nga qytetarët qetësi e durim, duke paralajmëruar që ditëve në vijim do ta bëjnë një pako masash që do t’u ndihmojnë atyre gjatë ditëve në vijim.

“Paniku dhe pritjet se do të ketë rritje çmimesh, ndikojnë në blerje të shtyra nga frika, gjë që pastaj rezulton në mungesë të produkteve në rafte, e rrjedhimisht edhe në ngritje të mëtutjeshme të çmimeve.

Një gjë të tillë kishin tentuar ta bëjnë edhe në fillim të pandemisë COVID-19 vitin e kaluar, me çmimin e miellit. Atëherë ne kishim bërë thirrje për qetësi, dhe kishim garantuar se askush nuk do të mbetej pa bukë. Ashtu edhe doli. Mirëpo, shumë qytetarë kishin përfunduar me sasi mielli nëpër shtëpitë e tyre, të blerë me çmim dy e trefish nga frika e mungesës së miellit dhe rritjes së çmimit. Fituesit e vetëm atëherë dolën të ishin tregtarët.

Të njëjtën gjë, pra qetësi e durim, po u kërkoj edhe tani teksa po punojmë që ditëve në vijim të kemi një pako masash që u vijnë në ndihmë qytetarëve". 

Ndërkaq, shefi i ekzekutivit bën thirrje që të shmanget paniku i nxitur nga manipuluesit dhe biznesmenët që duan të përfitojnë nga gjendja e krizës.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma vjetore e inflacionit në muajin shtator ka arritur në 4,9 për qind. Agjencia thotë se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.

Sipas raportit të publikuar, çmimet për bukë dhe drithëra janë rritur me 1,5 për qind, mishi me 2 për qind, qumësht, djathë e vezë me 8 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28 për qind, perime me 20 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2 për qind, pijet alkoolike me 4 për qind, duhan me 3 për qind, gaz me 11 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 27 për qind, shërbime për transport me 2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20 për qind, pushime të organizuara turistike me 9 për qind, shërbime hoteliere me 2 dhe shërbime financiare me 6 për qind.

Sipas ASK-së, një litër vaj ushqimor në muajin shtator 2020 kushtonte 1,06 euro, ndërsa një vit më vonë ky produkt shitet për 1,55 euro. Orizi  brenda një vitit është shtrenjtuar për 06 cent, kurse 30 copë vezë vitin e kaluar janë shitur me afro 2 euro, e sivjet me mbi 2,6 euro.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy