Edvin Prençe, kryetar i shoqatës “Pro-Export” foli përmes një lidhje “Skype” në “Mcn Economy” mbi luhetjet e monedhës euro. Ai u shpreh se kursi i këmbimit të lirë destabilizon një ekonomi të dobët dhe të ndjeshme, si ekonomia shqiptare. Sipas Prences Banka e Shqipërisë duhet të kishte më shumë transparencë dhe informacion se çfarë po ndodh në ekonominë shqiptare.
“Duke e parë nga aspekti i biznesit, kursi i këmbimit të lirë destabilizon një ekonomi të dobët dhe të ndjeshme, si ekonomia shqiptare. Çfarëdo biznesplani të bësh bie poshtë çdo plan dhe çdo kontratë me klientët, sepse je në varësi të kursit të këmbimit. Duhet të kishte një reflektim, mbrojtje, për bizneset dhe investimet shqiptare. Ajo që kemi kërkuar është që BSH të kishte më shumë transparencë dhe informacion se çfarë po ndodh në ekonominë shqiptare. S’e ka bërë të plotë transaparencën. Remitancat janë rritur sepse emigrantët kanë sjellë më shumë prurje. Investimet e huaja duhen parë në çfarë sektorësh janë bërë, dhe s’janë vetëm këto elementët që mund të ndikojnë në këtë mënyrë. Jemi shumë të ndjeshëm nga çfarëdo faktori, BSH është munduar të bëjë politikën e saj, por s’e ka bërë në mënyrën e duhur”.
Prençe theksoi se eksportet kanë rënë me -20 për qind vitin e kaluar, ku janë humbur 10 mijë vende pune vetëm në 2024.
“Gjëja e parë që bëhet në vendet e botës është të mbrohen eksportet e tij. Në 2024 eksportet shqiptare kanë rënë me -20 për qind. Pse kjo rënie e kursit s’është reflektuar në çmimet e shportës?! Kur ke kurs të lirë ke rregulla të forta dhe të barabarta për të gjithë. Duhet të shikohej efekti i kursit te çmimet, por nuk ka ndodhur. Eksportuesit kanë 200 mijë të punësuar. Janë humbur 10 mijë vende pune në 2024”.



