
Qeveria shqiptare po harton një projektligj që synon të mundësojë blerjen e tokës bujqësore nga shtetas të huaj, me argumentin se kjo do të nxisë investimet në sektorin e bujqësisë.
Sipas draftit të hedhur për konsultim publik nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për herë të parë parashikohet që persona fizikë dhe juridikë të huaj të mund të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri, por me kufizime të përcaktuara për sipërfaqen dhe përdorimin e saj.
Relacioni shpjegues sqaron se ndryshimet lidhen drejtpërdrejt me harmonizimin e legjislacionit shqiptar me acquis communautaire dhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e cila parashikon zgjerimin gradual të të drejtave të pronësisë për subjektet e huaja.
Aktualisht, ligji shqiptar nuk ua njeh të huajve të drejtën e pronësisë mbi tokën bujqësore, por vetëm të drejtën e marrjes me qira deri në 99 vite.
Projektligji parashikon që shtetasit dhe kompanitë e huaja të mund të blejnë deri në 2 hektarë tokë brenda së njëjtës bashki dhe deri në 30 hektarë në nivel kombëtar.
Ky kufizim konsiderohet si një mekanizëm “antimonopol”, për të shmangur përqendrimin e madh të tokës në pak duar.
Drafti përfshin si tokat bujqësore private, ashtu edhe tokat shtetërore të pandara.
Sipas relacionit, në Shqipëri ekzistojnë rreth 100 mijë hektarë tokë bujqësore të pandarë në administrim të pushtetit vendor, si dhe rreth 25 mijë hektarë “fond disponibël shtetëror”, të cilat aktualisht përdoren kryesisht përmes kontratave të qirasë.
Hapja e tregut për shitblerje synon të nxisë investimet në sektorin bujqësor dhe të vërë në shfrytëzim sipërfaqe të konsiderueshme toke që aktualisht nuk përdoren në mënyrë efikase.
Megjithatë, projektligji vendos edhe kufizime të forta.
Nuk do të lejohet tjetërsimi i tokës në zona me rëndësi strategjike, ushtarake, arkeologjike, historike apo ekologjike, si dhe në prona që janë ende objekt i proceseve të kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve.
Një tjetër kusht është që të huajt ta përdorin tokën vetëm për aktivitet bujqësor ose blegtoral dhe të mos ndryshojnë destinacionin e saj, përveç rasteve të lejuara me ligj.
Drafti parashikon gjithashtu kritere si banimi afatgjatë në Shqipëri, pajisja me leje të posaçme dhe ushtrimi i aktivitetit bujqësor për të fituar të drejtën e pronësisë.
Relacioni shpjegues pranon se një nga problematikat kryesore që mund të sjellë projektligji është rreziku i përqendrimit të tokës bujqësore në duart e investitorëve të huaj dhe mungesa e mekanizmave të fortë të kontrollit nga autoritetet vendore.
Nga ana tjetër, qeveria argumenton se ligji do të sjellë rritje të investimeve, modernizim të prodhimit bujqësor dhe krijim të vendeve të reja të punës në zonat rurale.
Projektligji parashikon që efektet e tij të fillojnë shtatë vite pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian, ndërsa aktet nënligjore do të duhet të miratohen brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.



