Eksperti i çështjeve fiskale Agim Binaj thotë se biznesi e ka mirëpritur premtimin e Kryeministrit për paqen fiskale, pasi sot Shqipëria ka 160 mijë biznese, ku rreth 40% paguajnë rregullisht taksa.
Duke folur për emisionin “MCN Economy” ai deklaroi se ka ardhur koha që të ketë edhe një kulturë fiskale.
Binaj shtoi se ka ardhur koha që disa rregulla të shikohen dhe biznesi të lehtësohet.
Shteti ka përgjegjësinë e vetë, por nuk mund të rri roje, duhet të krijohet edhe një kulturë për zbatimin e ligjit.
Njeriu duhet të zbatojë rregullat në një shoqëri, ndryshe nuk ka kuptim. Tatimorët sot kontrollojnë me analizë risku duke parë të gjithë treguesit, nëse je me fitim apo jo. Nga analiza në bazë risku ndodhën dhe arrestimet e “Bankers”.
Paqja fiskale është indeks besueshmërie. Dhe bizneset shqiptarë në këto 30 vjet, kanë krijuar një lloj kulture fiskale. Po përgatitet paketa, këtu do të ketë falje të gjobave dhe do ketë përfitueshmëri nëse deklaron fitim mbi atë që ke bërë në marrëveshje.
I gjithë sistemi tatimor në Shqipëri është sistem vetëdeklarimi. Në periferi thuajse asnjë lokal nuk paguan fatura tatimore. Secili individ që ka krijuar biznes në këto 30 vjet dhe e ka të qëndrueshëm, nuk duhet të shpërdorojë besimin e shtetit.
Mendoj se diçka do ndryshojë me që u deklarua dhe në fushatë elektorale. Disa rregulla ka ardhur koha që të shikohen dhe biznesi të lehtësohet që kur të vejë në botën tjetër të mos vejë me detyrime dhe t’ia kërkosh dhe poshtë. Unë jam për falje, falje, falje.



