Një raport i Bankës Botërore që analizon kapitalin njerëzor në 174 vende dhe që është publikuar sot, thotë se Shqipëria ka shënuar progres në treguesit që kanë të bëjnë me kapitalin njerëzor: arsimin dhe shëndetesinë përgjatë dekadës së fundit. Por pandemia e COVID-19 po i rrezikon arritjet e deritanishme, ndërsa qeveritë po përpiqen të vazhdojnë shërbimet shëndetësore dhe arsimore në kushtet e kufizimeve të vendosura për mbrojtjen e shëndetit publik.
Shqipëria ka shënuar përmirësime të dukshme në kapitalin njerëzor gjatë dekadës së fundit, duke u renditur ndër 10 vendet me përmirësimin më të madh në gjithë botën sa i takon shëndetësisë dhe arsimit. Megjithatë, që këto arritje të jenë të qëndrueshme, duhet të rriten investimet në arsim dhe shëndetësi.
Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka shënuar përmirësime të rëndësishme në cilësinë e arsimit. Rezultatet e testit të harmonizuar janë rritur nga 397 pikë në 2010 në 434 pikë në 2020. Shqipëria, gjithashtu ka rritur numrin e viteve të pritshme të shkollimit. Një fëmijë që nis shkollën sot, pritet të kryejë 12.9 vjet shkollim deri në moshën 18 vjeç, krahasuar me 11.6 vjet që ka qenë në 2010.
“Këto përmirësime lidhen me përpjekjet për reforma intensive gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, të cilat përfshijnë politika që kanë të bëjnë me punësimin dhe pagat e mësuesve; pasurimi i kurrikulave të fokusuara në aftësi; rritjen e aksesit në të gjitha nivelet e arsimit, dhe një vemendje më e madhe për arsimin gjithëpërfshirës duke pasur në kujdes nxënësit me më pak mundësi financiare,” tha Maryam Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.
Shqipëria veçohet edhe për rënien ndjeshëm të nivelit i zhvillimit të mangët të fëmijëve. Në Shqipëri shkalla e zhvillimit të mangët të fëmijëve që janë të rrezikuar nga kufizime fizike dhe mendore ka rënë gjatë periudhës në fjalë nga 23 në 11 fëmijë për çdo 100 fëmijë.
Raporti i këtij viti përfshin analizën dhjetëvjeçare të zhvillimit të kapitalit njerëzor, nga viti 2010 deri në vitin 2020, në 174 vende. Nga 48 vende të Europës dhe Azisë Qendrore të përfshira në IKNJ 2020, 33 bëjnë pjesë në një të tretën më të përparuar të botës dhe thuajse të gjitha ndodhen në një të dytën më të përparuar.



