Zhvlerësimi i euros po thellon krizën në sektorin e eksporteve, ndërsa bizneset kanë rritur tonet ndaj qeverisë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.
Në një deklaratë të unifikuar, Shoqata ProEksport Albania e cilëson situatën si “krizë të paprecedentë”, duke paraqitur një paketë urgjente me disa pika për mbështetjen e industrisë.
Kreu i shoqatës, Edvin Prençe, në MCN Economy, theksoi se presioni mbi ndërmarrjet ka arritur kulmin, ndërsa paralajmëroi masa nëse nuk ka reagim nga qeveria.
Niveli i presionit ka arritur në atë pikë që bizneset kërkojnë masa urgjente. Nuk është më fazë pritjeje. Kemi lënë afat deri në fund të prillit për një reagim konkret.
Ai bëri të ditur se kërkesat kryesore lidhen me krijimin e një mekanizmi për rimbursimin e eksporteve dhe mbështetje financiare për sektorin.
Kemi kërkuar mekanizëm për rimbursimin e eksporteve, kredi të buta dhe rritje të fondeve nga AIDA. Nëse nuk ndërhyhet te kursi i këmbimit, duhet të krijohet një skemë që e kompenson atë.
Sipas Prençes, një tjetër problem shqetësues është sistemi i taksimit mbi pagat, i cili sipas tij po penalizon punonjësit.
“Punonjësit që merrnin më shumë, sot marrin më pak për shkak të efektit të fashave të taksimit. Kjo po rëndon edhe më shumë situatën,” shtoi ai, duke kërkuar gjithashtu më shumë likuiditet dhe kredi me interesa të ulëta për biznesin.
Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë Pano Soko e sheh problemin më të thellë, duke e lidhur me mungesën e vizionit të qeverisë për strukturën ekonomike dhe rolin e industrisë prodhuese.
Qeveria nuk është e aftë të kuptojë efektin që kanë prodhuesit në punësim. Ky sektor mban dhjetëra mijëra njerëz që nuk kanë alternativa të tjera në treg.
Ai theksoi se industria e eksporteve ka një rol jo vetëm ekonomik, por edhe social.
Po flasim për rreth 70 mijë njerëz. Nëse ky sektor dobësohet, këta njerëz ose do të emigrojnë, ose do të kthehen në barrë për shtetin.
Soko kritikoi gjithashtu mungesën e politikave mbështetëse, duke e krahasuar situatën me sektorë të tjerë të lënë pas dore.
Ajo që kërkohet në thelb është kompensimi i diferencës nga kursi i këmbimit. Është një formë subvencioni që shteti duhet ta konsiderojë seriozisht.
Eksportuesit paralajmërojnë se pa masa konkrete, sektori rrezikon tkurrje të mëtejshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në punësim dhe ekonominë e vendit.



