Misioni i FMN: Të bëhen ndryshime ligjore për PPP-të, pasqyrë për rreziqet fiskale

Misioni i FMN: Të bëhen ndryshime ligjore për PPP-të, pasqyrë për rreziqet fiskale

Në deklaratën përmbyllëse të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në vendin tonë, nënvizohet se ekonomia shqiptare është shfaqur si një nga ekonomitë më të forta të rajonit.

Në vijim thuhet se më sajë të rimëkëmbjes së fortë të turizmit, vitin që shkoi rritja ekonomike i kaloi pritshmëritë duke u rritur me rreth 5 për qind, ndërsa pozicioni i jashtëm pësoi një përmirësim të dukshëm.

Misioni i FMN shprehet se perspektiva ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë e shëndoshë, ku PPB-ja reale parashikohet të zgjerohet me 3.6 për qind në 2023 dhe 3.3 për qind në 2024, kryesuar nga një konsum privat i qëndrueshëm, me forcimin e konsiderueshëm të turizmit dhe veprimtarisë së ndërtimit.

Inflacioni qëndron rreth nivelit 4 për qind, në kushte të shtrënguara të tregut të punës, dhe pritet të kthehet vetëm gradualisht në objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind në fillim të vitit 2025.

Tensionet e rritura gjeopolitike përfaqësojnë një rrezik të madh të mundshëm, duke qenë se ekonomia vazhdon të jetë e pambrojtur ndaj rreziqeve të goditjeve në sektorin energjetik të lidhura me klimën, të ndryshimit të papritur të kahut të kursit të këmbimit dhe një inflacioni më të vazhdueshëm.

Ndër të tjera thuhet se në skenarin bazë, misioni parashikon në periudhën afatmesme një konsolidim të mëtejshëm fiskal të kufizuar, duke qenë se buxheti për vitin 2024 synon një suficit primar të ulët.

Nënvizohet se borxhi publik pritet të jetë rreth 60 për qind në fund të 2023 dhe parashikohet të jetë i qëndrueshëm në  eriudhën afatmesme.

Administrimi më i fortë i investimeve publike po ashtu do të mundësojë shpërndarjen e më shumë burimeve për investime produktive, duke përfshirë këtu investimet në arsim dhe përshtatjen ndaj klimës.

Rritjet e fundit të pagave në sektorin publik dhe indeksimi i inflacionit do të çojnë në rritjen e buxhetit të qeverisë për pagat.

Në mungesë të reformave të mëtejshme, sistemi i pensioneve do të rëndojë edhe më shumë burimet publike.

Pagat më të larta në sektorin publik duhet të shoqërohen me një rishikim më të gjerë të funksioneve në sektorin publik dhe rritjes së efikasitetit, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe trajnimin në punë. Rishikimi i ardhshëm i shpenzimeve publike është një mundësi për të nisur reforma, të cilat do të ulin presionet e shpenzimeve afatgjata, duke përfshirë edhe detyrimet e pensioneve.

Progresi i vazhduar në reformat fiskale strukturore do të ndihmojë në forcimin e menaxhimit të financave publike.

Bërja funksionale e udhëzimeve për menaxhimin e investimeve publike do të përmirësojë klasifikimin, menaxhimin dhe monitorimin e projekteve.

Përfshirja e partneriteteve publike-private (PPP) në kuadrin e zakonshëm të investimeve publike dhe në proceset buxhetore është nevojë urgjente dhe për këtë duhen ndryshime ligjore.

Publikimi i planifikuar i një pasqyre të veçantë të rreziqeve fiskale në vitin 2024 është një hap i rëndësishëm drejt monitorimit të ardhshëm të rreziqeve fiskale, duke përfshirë rreziqet, që rrjedhin nga PPP-të, detyrimet kontigjente të nënkuptuara dhe ato ligjore, dhe ndërmarrjet me pronësi shtetërore.

Pasqyra e rreziqeve fiskale duhet gjithashtu të identifikojë qartë masat për uljen e rreziqeve, duke përfshirë shtimin e mbikëqyrjes dhe mirëqeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore.

FMN shprehet se sektori financiar mbetet kryesisht i qëndrueshëm, por vijon të ketë hapësira cenueshmërie.

Në këtë linjë konkludohet se mjaftushmëria e kapitalit të sistemit bankar në tërësi është mbi nivelet e kërkuara dhe rentabiliteti e cilësia e aktiveve janë përmirësuar.

Megjithatë, ka hapësirë për forcim të mëtejshëm të pozicionit të kapitalit të disa bankave, dhe sektori vazhdon të përballet me rreziqe të mbetura nga roli tejet i madh i letrave me vlerë të qeverisë në portofolet e bankave dhe ekspozimi ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme, duke konsideruar ende në nivele të larta kredinë e pambrojtur ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.

Edhe pse ka pasur luhatje në 2022 në disa institucione financiare jo banka, sektori nuk ka gjasa të paraqesë rreziqe sistemike, duke marrë parasysh përmasat e tij të vogla.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy