Eksperti i ekonomisë Enriko Ceko thotë se rënia e euros ka dëmtuar rëndë ekonominë shqiptare dhe kryesisht importuesit.
Ai deklaroi për “MCN Live” se marrëveshja për minimzimin e përdorimit nuk përfshiu të gjitha subjektet publike dhe private.
Tani që euro ka rënë hajde të mbrojmë qytetarët që i kanë të ardhurat në euro. 75% e pensionistëve ndihmohen zyrtarisht me para që qarkullohen përmes bankave nga fëmijët, nipërit dhe mbesat. Atëherë pse tallemi ne me këta 800 mijë euro, që jetojnë me para të dërguara nga fëmijët. Këta jo vetëm që nuk kanë argumente, por duhet të dalin mirë me arsyen se pse ndodhi dhe kush përfitoi.
Nga kjo mesele kanë përfituar vetëm importuesit. Janë dëmtuar njerëzit që punojnë me euro, njerëzit që presin remitanca, të gjithë bizneset që eksportojnë, është dëmtuar bujqësia e cila prodhon në periudhën e verës dhe në periudhën e verës që ne prodhojmë, euro është e dobët.
Çështja duhet parë më thellë, kujt i vajti ndërmend çështja e deeuroizimit? A pati studim? E pranuam deeuroizimin por nga 142 që ishte kursi, deri në 127 deri në sa do e çonim. Se po ne që i kemi të ardhurat në euro pse nuk na mbron Banka e Shqipërisë.
Ndërsa gazetari Lorenc Rabeta tha se marrëveshja për minimzimin e përdorimit të euros u nënshkrua që në 2017, lindi nga kursi i lartë i këmbimit të euros 142 lekë.
Sipas tij, një euro kaq e fortë bënte që çmimet të ishim më të larta, por se aktualisht fluksi i monedhës europiane është jashtë kontrollit të shtetit.
Rabeta shtoi se dështimi i madh është se sot jemi të mbytur nga eurot në treg.
Strategjia kishte qëllim edhe formalizimin e ekonomisë. Guvernatori Sejko tha se nuk do lejohet asnjë shitje në euro, gjë që e kishte bërë Kroacia dhe vendet me sistem financiar të fortë. Qëllimi ishte mbrojtja e konsumatorëve që kishin të ardhurat në lekë dhe kreditë në euro.
Banka e Shqipërisë i dekurajoi bankat që të jepnin kredi në euro, për të stimuluar nxitjen e kredive në lekë. Të gjithë sapo bie kredia në euro, vërsulen në drejtim të kredisë në euro. Unë e quaj të palogjikshme atë nismë e cila do të zbatohej nëse shteti do të kishte vullnetin të bllokonte çdo lloj blerje në euro. Dështimi i madh është se sot jemi të mbytur nga eurot në treg.
Një euroizim kaq i fortë i ekonomisë shqiptare e bën të pamundur deuroizimin. Nga ana tjetër shqiptarët besojnë shumë më shumë te euro se sa te leku. Tregues është dhe fakti që depozitat tona në sistemin bankar i kemi më shumë në euro se sa në lekë. Në euro janë shumë më të ulëta normat e interesit, në lekë u rritën diçka.
Po të ishte rritur besimi tek leku siç thotë Banka e Shqipërisë, nuk do të dominohej sistemi bankar nga depozitat në euro. Dosjet e SPAK na kanë treguar se nuk kontrollohet fluksi i eurove. Ose shteti nuk është në gjendje ta kontrollojë fluksin e euros që është në Shqipëri, ose nuk do. Edhe rënia e kursit të euros vjen prej flukseve të mëdha hyrëse.



