Qeveria e Shqipërisë ka marrë sot një vendim në kuadër të nismës “Open Balkan”, ku mes tre vendeve pjesë e iniciativës, do të njihen certifikatat veterinare dhe do të hapet eskporti për gjithë produktet blegtorale me anë të lehtësimit të kufijve.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, pas mbledhjes së Qeverisë.
Sipas ministres, ky vendim vjen në respektim të mbrojtjes së territorit nga sëmundjet e transmetueshme në bimë dhe kafshë. Po ashtu, me njohjen reciproke të certifikatave të veterinarisë, do të njihen edhe analizat e dala nga laboratorët e akredituar dhe të autorizuar.
Ndër pikat kyçe të kësaj marrëveshje, është edhe kalimi i lehtësuar në pikat kufitare të tre vendeve. Koha e tranzitit në transportimin e mallrave pritet të ulet. Po ashtu, i nënkuptuar është edhe shkëmbimi i informacioneve në kohë reale mes tre shteteve, mbi çështjet që lidhen me blegtorinë.
Në parashikimin buxhetor të Qeverisë, pritet edhe një mbështetje direkte prej 3.2 miliardë lekësh për sektorin. Ato do të shkojnë për rritjen e prodhimit vendas dhe për t’i bërë blegtorët shqiptarë më konkurrues në tregun rajonal.
Për Krifcën, kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë edhe sa i përket sigurisë ushqimore në vend.
Ajo ka siguruar se mbështetje, do të ketë edhe për investimet, të cilat rrisin standardet.



