Eksperti i punësimit Arbër Xhihani deklaron se niveli i pagave në administratën shtetërore në 2024 pati një rritje të konsiderueshme çka e ktheu punësimin në administratë më joshës, ndërsa aktualisht rezultojnë mbi 185 mijë të punësuar në shtet.
Nga studio e “MCN Economy” ai deklaroi se do të duhet të shihet efiçenca që kanë punonjësit në administratën shtetërore.
Xhihani thotë se nuk duhet të ketë shfrytëzim elektoral të punësimeve në shtet, por duhet të ketë vlerësim në bazë të performancës dhe interesave në vendin e punës.
Sipas tij, shqetësim ngelet ndjekja e performancës dhe meritokracia, dhënia e mundësive për të konkurruar mbi vendin ku janë të punësuar për të pasur efiçencë reale.
Po të marrim një përqindje të numrit të të punësuarve në administratë, jemi në nivelet disi të BE, ndërkohë që shtete si Serbia kanë normë punësimi në shtet shumë më të lartë se sa kjo.
Nuk duhet të ketë shfrytëzim elektoral të punësimeve në administratën shtetërore, por vazhdimisht duhet të kemi matje performamce dhe trajnime të vazhdueshme, për të parë nëse janë konform interesave të vendit të punës.
Rritja e pagave në administratën shtetërore pati një efekt tjetër pozitiv, pasi detyroi sipërmarrjet private të vazhdonin në të njëjtin trend në rritje pagash.
Në shtet rritja ishte rreth 15%, ndërsa në privat rreth 8%. Por këtu duhet mbajtur parasysh informaliteti i lartë.
Është vëmë re se të punësuarit në administratë kanë jetëgjatësi në punë dhe shkarkimet kanë sjellë të ardhura përmes gjyqeve.
Kush futet në administratën shtetërore është më e vështirë të largohet, se sa në sektorin privat.
Në momentin që kemi një ndryshim të pagave minimale, ka ndryshim edhe në nivelin tjetër të pagave.
Në sektorin privat ka sektorë si bujqësia apo përpunimi, ku niveli i pagave është mjaft i ulët.
Ndërsa kemi sektorë të tjerë si financiarë apo bankarë, kanë rritje të konsiderueshme dhe kalojnë dhe pagat mesatare.
Por shqetësim ngelet ndjekja e performancës dhe meritokracia, dhënia e mundësive për të konkurruar mbi vendin ku janë të punësuar.
Në momentin që do të ofrojmë meritokracinë, do të kemi një rritje në administratën publike për të patur më shumë efiçencë.
Problematika kryesore në sektorin privat është informaliteti, çka nuk na tregon të dhënat reale qoftë në rritjen e pagave edhe në numrin e të punësuarve.
Në sektorin publik respektimi i kontratës së punës është më i saktë, ndërsa në sektorin privat kalohet 40 orarëshi javor dhe shpesh herë dhe 8 orë pune edhe të shtunën.
Shpesh ditët e pushimeve zyrtare nuk janë të garantuara në sektorin privat, ndërsa në sektorin publik ka respektim të tyre.
Kjo bën që në momentin që një i ri gjendet përballë dy mundësive në shtet dhe në privat, zgjedh administratën publike.



