Kryeministri Edi Rama prezantoi sot fituesit e startup dhe Startup Grand 2024. Me praninë e ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, Rama prezantoi mbi 150 talente, projektet e të cilëve do të financohen nga Startup Grant 2025.

Maris Basha, bashkëthemelues i kompanisë Nulius in Verba, kërkues shkencor në ETH Zyrih, tha se automatizimi i punës në administratë është një sfidë e cila duhet t’u besohet start-upeve shqiptare. Basha tha se është i gatshëm të bëhet pjesë e një nisme të tillë, ndërsa theksoi se institucionet, por edhe bizneset, duhet të zgjedhin së pari start-upet shqiptare.

Të gjithë thonë çfarë mund të bëjë qeveria për ne dhe jo çfarë mund të bëjmë ne për qeverinë. Unë do të vetëofrohesha vullnetarisht. Ne kemi vënë re që me klientët tanë kur tentojmë të automatizojmë punët e tyre me IA, kanë problemin që nuk e dinë çfarë është e mundur. Është e nevojshme të analizojmë proceset e tyre dhe të dalim në përfundimin çfarë është e automatizueshme dhe çfarë jo. Është gjë e mirë ajo që keni bërë me e-Albania por do të ishte akoma më mirë nëse do të kishte një nismë nga ana e qeverisë për automatizimin e punës në administratë. Duke marrë shkas nga përvoja imë në Zvicër ku jetoj, zviceranët vënë Zvicrën në vendin e parë dhe besoj edhe Shqipëria duhet të vërë të parët shqiptarët dhe kompanitë shqiptare.

Kryeministri Rama tha se një hapësirë ku mund të integrohen idetë e të rinjve është Qendra e Inovacionit.

Ne do të vëmë në dispozicion të kujt dëshiron të dhëna. Ne kemi ngritur një qendër të inovacionit që nuk ka lidhje me AKSHI-n që presupozohet t’u shërbejë të gjitha institucioneve për të inovuar. Ajo që kam vënë re është që qendra është burokratizuar. Ajo që ne do të bëjmë është ti hapim dyer te qendrës për të gjithë ju që doni të provoni se çfarë mund të bëni.