
Eksperti i ekonomisë Pano Soko deklaroi në studion e lajmeve të MCN Tv se biznesi po përballet me norma të larta të interesit, gjë që e dëmton atë. Sipas ekspertit meqë inflacioni në Shqipëri është i importuar nga jashtë qeveria duhet të ndërhyjë me politikë fiskale.
Duke vijuar shpjegimin e tij, Soko tha se kemi krijuar një flluskë në tregun e apartamenteve.
Biznesi po përballet me norma të larta të interesit, dhe kjo rritje dëmton biznesin pasi e bën kredinë e shtrenjtë. Përpos kësaj ka dhe rritje të presionit fiskal. Rritja e normës së interesit i dekurajon kompanitë të marrin kredi. Në këtë mënyrë frenon rritjen e ekonomike, duke frenuar dhe rritjen e çmimeve dhe arrin të mbajë nën kontroll inflacionin. Inflacionin e kemi të importuar nga jashtë. Biznesi po tkurret. Si ndërhyhet? Në të tilla raste ndërhyhet me politikë fiskale. Amerika nuk është prekur fare nga kriza në Ukrainën, po vuan inflacionet e paketës së ndihmës që shpërndau Trump. Ne dhamë për pandemi as 0.8% të GDP, ne e kemi të jashtëm. Duhet të ulur taksa kështu mund ta luftojmë. Kështu ka bërë RMV, Kosova.
BSH është shprehur se do të vazhdojë politikën shtrënguese. Pesha me të cilën po goditet ekonomia nga rritja e normës së interesit do të jetë e ndjeshme, nuk shoh rikuperim të shpejtë të ekonomisë. Shoh në horizont krizën e çmimeve të apartamenteve. Kriza ka goditur një nga hallkat kryesore të fiancimit të industrisë së ndërtimit. Financimi i ndërtimit bëhej ose me paratë e ndershme ose me ato pista. Me normat e reja të interesit, kredia shkon 8-9% dhe është jo interesante për qytetarët. 40 mijë apartamente janë të pabanuara, janë të shituara. Ky stok, kur do të kemi rënie të kërkesës dhe do fillojë të ulet çmimi, atëherë pjesa e ndershme nuk do të jetë e interesuar për të blerë. Kemi krijuar një flluskë në tregun e apartamenteve pasi çmimi nuk përkon me jetesën e qytetarëve.
I ndalur dhe tek hetimet e mbyllura nga Autoriteti i Konkurrencës për kompaninë Vodafone dhe çmimet që ajo ka vendosur për thirrjet ndërkombëtare, Soko tha se nuk mjafton këshillimi, por që duhen masa konkrete në mënyrë që ndëshkimi të korrektojë sjelljen e operatorëve.
U gjet kompania që ka shfrytëzuar pozitën e saj në treg për të strukturuar pjesën e ndikimit të saj në çmim. Çfarë bëjmë ne? E këshillojmë. Presim që atyre do u skuqet faqja. Ndëshkimet, për shkelje të barazisë së tregut të operatorëve duhet të jenë masa konkrete, të dëmtojnë në masa të tilla që të korrektojnë sjelljen e operatorit.
Me këshillim nuk shkojmë shumë larg. Ne nuk jemi mjaftueshëm të fortë. Por shteti nëse do të ndikojë tek loja e tregut dhe të imponojë lojën e tregut duhet të jemi të fortë.
Sipas Sokos, emigracioni është plaga më e madhe e Shqipërisë dhe se po ikën fasha më vitale e shoqërisë.
Emigracioni është plaga më e madhe e këtij vendi, më e dëmshmja. Plaga me efektin më terminal është emigracioni. Emigracioni po na merr jo vetëm sasi , por edhe cilësi. Po ikën fasha më vitale e shoqërisë 20-25 vjeç deri në 40-45 vjeç, grup-mosha që është zemra e ekonomisë. Emigracioni nuk po merret seriozisht.



