Profesori i ekonomisë, Fatos Fico, për projektligjin që parashikon shitjen e tokës bujqësore për të huajt, cilëson problematikë diskriminimi që iu bëhet qytetarëve dhe fermerëve shqiptarë.
Duke folur për “MCN Economy” ai deklaroi se shteti shqiptar vrapon që t’ua japë tokën të huajve.
Fico e cilësoi të panevojshëm një ligj të tillë, duke thënë se ligji ekzistues e njeh të drejtën e qirasë, për tokën shtetërore të papërdorur më parë, që mund ta marrë qoftë shtetas i huaj, apo shqiptar, çka e lë pronësia e tokës shqiptare.
Sipas tij, kalimi i pronësisë tek të huajt ngjan më shumë si investim në shtëpi, ku do mbillet një pjesë e vogël dhe pjesa tjetër do ndërtohet shtëpi.
Në këtë linjë nënvizon se do të ishte më serioze nga shteti që të kërkonte investitorë strategjikë dhe të jepte me qira 100 apo 200 hektarë tokë dhe jo ndarja në 2 hektarë e këtyre tokave që nuk janë me prodhueshmëri të lartë, për shkak se ndodhen në zona të vështira.
Fermerët shqiptarë kanë të drejtë të blejnë tokë nga privati. Por ligji parashikon edhe blerjen e tokës shtetërore. Gjithë vendet e tjera i japin prioritet blerjes së tokës nga fermerët e tyre, kundrejt atyre të huaj. Ndërsa ne po vrapojmë që t’iu japim tokë të huajve.
Nuk e di pse ndodh kjo, këtë e dinë ata që kanë porositur ligjin. Më duket si një paketë e dytë e maleve pas dhjetë vitesh. Duke parë si është ndërtuar ky ligj që të shpërndajë nga 2 hektarë tokë, nuk e zgjidh fare problemin e bujqësisë. Se kemi ferma të vogla, do ngelemi përsëri në ferma të vogla. Kjo është një pikëpyetje tjetër, pse të huajt po dhe jo shqiptarët.
Është i panevojshëm ky ligj, se ligji ekzistues e njeh të drejtën e qirasë, për tokën shtetërore të papërdorur më parë, që mund ta marrë qoftë shtetas i huaj, apo shqiptar. Kjo ka shumë rëndësi, sepse pronësia e tokës mbetet shqiptare. Dhe dhënia me qira afatgjatë e zgjidh problemin, se ai që bën investimin ka garancinë e mjaftueshme. Se mund të ngrihen sera apo të mbillen pemë.
Qeveria thotë se janë rreth 130 mijë hektarë tokë shtetërore të papërdorura dhe qëllimi i qeverisë është që t’i fusë në përdorim. Por do të ishte mirë që këto hektarë t’i merrte një etnitet shqiptar apo i huaj por me qira. Megjithëse duket e vështirë që të jepet kaq shumë sipërfaqe toke me qira, sepse përgjithësisht nuk janë toka me prodhueshmëri të madhe, por kryesisht janë toka kodrinore, në terrene të vështira. Përgjithësisht kanë mbetur ato toka jo të mira për t’u dhënë me qira.
Kalimi i pronësisë tek të huajt për mua ngjan më shumë që të jetë një investim në shtëpi. Do e marrin si tokë bujqësore, do mbjellin domate dhe kastraveca dhe më pas mund të ndërtojnë shtëpi, duke blerë një tokë bujqësore. Do të ishte më serioze nga shteti që vërtetë të kërkonte investitorë strategjikë dhe të jepte me qira 100 apo 200 hektarë tokë. Por jo ndarja në 2 hektarë e këtyre tokave që nuk janë me prodhueshmëri të lartë.



