
Shumë shpejt qytetarët Elbasanas do të përballen me rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Mes zërave që kanë pësuar rritje të çmimeve do të jetë dhe fatura e ujit.
Pas një takimi konsultativ të zhvilluar pak ditë më parë, ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve në Elbasan i ka bërë kërkesë ERRU të rrisë me të paktën 4 lekë çmimin e m2 të ujit për konsumatorët dhe 25 lekë për biznesin.
Zv. administratori Juljan Dervishi thotë se rritja e çmimit të ujit nuk synon të prekë xhepat e qytetarëve, por të mbulojë kostot operative të ndërmarrjes.
Edhe pse rritja e faturës së ujit në Elbasan nuk do ta kalojë 10 përqind të vlerës aktuale qytetarët thonë se është e padrejtë dhe një kosto që do të rëndojë xhepat e tyre.
Më të indinjuar shprehen pensionistët të cilët thonë se me pensionet që marrin e kanë të vështirë të përballojnë jetesën. Hera e fundit që çmimi i ujit të pijshëm u rrit në Elbasan ka qenë 11 vite më parë.



